“Vllaznia B” ka arritur të ndalë Mirditën pretendente të kategorisë së dytë. Dy skuadrat janë ndarë në barazim 1-1 në takimin e luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi”. Të parët kanë kaluar në avantazh mirditorët me anë të Pepkolajt në minutën e 40-të ndërkohë që për ekipin shkodran ka barazuar Arber Daija në minutën e 54-të. Të dy ekipet kanë patur edhe raste të tjera shënimi, por më të pastrin dhe që mund t’i kishte dhënë fitoren Vllaznisë B e ka patur futbollisti Jozefin Rrasa që në minutën e 90-të kur vetëm për vetëm me portierin kundërshtar ka bërë më të vështirën duke e dërguar topin jashtë.
Përfundimisht 1-1 ndërkohë që trajneri i ekipit shkodran Fatjon Hasani mendon se skuadra e tij mund të kishte marrë më tepër në këtë përballje por nga ana tjetër, premton se rezultatet e Vllaznisë B do të vijnë në rritje në ndeshjet e ardhshme.
Ndeshjen e javës së ardhshme, Vllaznia B do ta luajë me një tjetër ekip pretendent siç është ai i Luzit, megjithatë kuqeblutë do të tentojnë rezultat pozitiv edhe në këtë sfidë të vështirë që do ta luajnë në transfertë.
