“VLLAZNIA B” IA DEL NDAJ KORABIT, FITON 3-1 NDAJ DIBRANËVE

“Vllaznia B” ka arritur të marrë një fitore shumë të rëndësishme në javën e pestë të fazës së tretë të kampionatit të kategorisë së parë. Ajo ka mundur me rezultatin 3-1 ekipin e Korabit të Peshkopisë në ndeshjen e luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi”. Takimi ka qenë shumë delikat sepse çdo rezultat tjetër përveç fitores nuk vlente për ekin shkodran. Por në fakt, gjërat kanë shkuar mirë. Që në minutën e 9-të të ndeshjes, Samet Ruqi do të shënonte dhe do të kalonte në avantazh Vllazninë B.

Një gol që do t’i jepte qetësinë kuqebluve të trajnerit Kraja dhe pjesa e parë ndërkohë nuk do të dhuronte gol tjetër. Në minutën e 60-të ndërkohë, sulmuesi Belajdi Pusi do të dërgonte topin për herë të dytë në rrjetën e dibranëve dhe këtu duket se ndeshja do të përfundonte. Por gëzimi i shkodranëve zgjat pak sepse Korabi brenda vetëm pak sekondave do të shënonte duke ngushtuar rezultatin. Padyshim që kjo gjë do të karikonte edhe njëherë skuadrën shkodrane dhe për të mbyllur ndeshjen do të mendonte kapiteni Enes Isufi. Në minutën e 78-të, me kokë ai do të shënonte golin e tretë dhe të fundit të kësaj ndeshje. 17 vjeçari kësisoj shfaqet edhe njëherë protagonist për Vllazninë B duke u shfaqur edhe si golashënues dhe duke i dhënë fitoren skuadrës së tij.

Në këtë mënyrë e gjitha ndeshja do të mbyllej me rezultatin 3-1 në favor të kuqebluve të drejtuar nga trajneri Ervis Kraja. Me këtë fitore, ata tashmë janë ngjitur në kuotën e 18 pikëve duke lënë pas vetes në renditje ekipet e Korabit dhe të Tërbunit. Shanset për të qëndruar në kategorinë e parë tashmë flasin në favor të Vllaznisë B, e cila me një fitore tjetër në Shkodër në ndeshjet e ardhshme, mund ta arrijë objektivin që ka.

 

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA U-17 HUMBET NË FINALE DHE SHPALLET NËNKAMPIONE

Vllaznia U-17 nuk ka arritur dot të shpallet kampione e Shqipërisë për sezonin 2017-2018. Në …