“VLLAZNIA B” MUND 2-1 TËRBUNIN. SIGURON PLAY OUT-in

Ekipi i dytë i klubit shkodran, ai B, ka arritur të fitojë sfidën e rradhës shumë përcaktuese për vazhdimësinë në kampionat. Përballë Tërbunit të Pukës, kuqeblutë kanë fituar me rezultatin 2-1 dhe me këtë trepikësh ata tashmë kanë siguruar plej-autin ndërkohë që në ndeshjen e javës së fundit do të synojnë arritjen e objektivit edhe për të siguruar qëndrimin në kategorinë e parë. Ndeshja e luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi” ka patur jo pak tension brenda, nisur edhe nga rëndësia që ajo kishte për të dy ekipet.

Shkodranët kanë shënuar shumë shpejt, që në minutën e 9-të me anë të Hallunajt. Ai ka shfrytëzuar një top të mbetur në zonën pukjane dhe e ka dërguar atë në rrjetën e portës së mbrojtur nga Rexhepi. Nëntë minuta më vonë do të vinte edhe goli i dytë për Vllazninë B. Hajdari shfrytëzon një top të ardhur nga e djathta dhe shumë pranë portës, e ka dërguar atë në rrjetë. Pjesa e parë është mbyllur në shifrat 2-0 por duhet thënë se gjatë këtij takimi nuk kanë munguar edhe problemet teksa ka patur disa dëmtime të rënda futbollistësh të cilët janë detyruar të lënë edhe lojën. Në pjesën e dytë ndërkohë, Tërbuni i pakënaqur me disavantazhin, hidhet në sulm dhe në minutën e 54-të ngushton shifrat me anë të Gjinit.

Por vetëm kaq sepse pavarësisht përpjekjeve, nuk do kishte gol tjetër. Përfundimisht 2-1 për Vllazninë B e cila me këtë fitore merr frymë disi më e qetë por megjithatë, në ndeshjen e fundit ndaj Burrelit do të tentojë të paktën një barazim, rezultat me të cilin do të siguronin përfundimisht qëndrimin në kategorinë e parë. Nëse luajnë me të njëjtën dëshirë dhe ego si ndaj Tërbunit, mund t’ia dalë të marrë pikë edhe në Burrel.

 

Lexoni dhe kete

GJOKA: VLLAZNIA E KA DETYRIM FITOREN ME KAMZËN

Vllaznia do të luajë një përballje shumë delikate pasditen e së mërkurës ndaj Kamzës në …