“VLLAZNIA B” NDAL SERINË E FITOREVE, MUNDET 0-1 NGA EGNATIA

“Vllaznia B” nuk ia ka dalë të fitojë edhe ndeshjen e katërt rradhazi në kampionat. Në sfidën e luajtur ndaj Egnatias së Rrogozhinës në fushën sportive “Reshit Rusi”, kanë qenë miqtë ata të cilët kanë arritur të fitojnë me rezultatin 1-0 duke marrë një trepikësh me shumë vlerë që i ngjit ata në vendin e dytë në renditje. Skuadra shkodrane në fakt ishte përgatitur për ta kaluar me sukses këtë ndeshje dhe trajneri Kraja kishte në dispozicion edhe futbollistët e ekipit të parë si Kruja, Hajdari e Pusi por gjithsesi, ato nuk i kanë mjaftuar për ta fituar këtë takim. Përballja në fakt ka nisur mirë për kuqeblutë. Në minutën e 10-të, arbitri i takimit ka dhënë një 11-metërsh në favor të Vllaznisë B për pengim në zonë të Djepaxhisë.

Atë e ka marrë përsipër ta godasë Erkoçeviq por ai ka gabuar sepse topi i gjuajtur prej tij është pritur nga portieri kundërshtar. Pas këtij momenti, loja ka patur emocionet e veta sepse të dyja skuadrat kanë bërë maksimumin për të shënuar. Megjithatë goli i vetëm i ndeshjes do të vinte në minutat e fundit. Një nga lojtarët afrikanë të Egnatias me anë të një kundërsulmi të shpejtë, e ka dërguar topin në rrjetën e portës shkodrane dhe ndonëse futbollistët vendas kanë protestuar për një faull të këtij lojtari ndaj njërit prej mbrojtësve të Vllaznisë, arbitri nuk ka menduar kështu dhe për rrjedhojë e ka konsideruar golin e rregullt.

Përfundimisht 1-0 për Egnatian që e ka konsideruar një fitore me shumë vlera këtë të marrë në Shkodër ndërkohë që për trajnerin e Vllaznisë B, Ervis Kraja, humbja ka ardhur për mungesë të fatit por edhe si rrjedhojë e arbitrimit. Gjithsesi sipas tij, pavarësisht kësaj humbje, ekipi është brenda mundësive për të zënë vendin e pestë në renditje që është edhe objektivi i tij.

Lexoni dhe kete

ATLETI FRANKO BURRAJ THYEN REKORDIN E 400 METRAVE

Atleti I Vllaznisë dhe I kombëtares shqiptare Franko Burraj paraditen e së mërkurës ka bërë …