“VLLAZNIA B” NË KATEGORINË E DYTË, OBJEKTIV NGJITJEN

Më 16 shtator do të nisë edhe kampionati i kategorisë së dytë në futbollin shqiptar dhe pjesë e këtij kampionati do të jetë edhe “Vllaznia B”. Sipas ndarjes të bërë nga Federata Shqiptare e Futbollit, ekipi i dytë i kuqebluve do të jetë në grupin A bashkë me ekipet e Tërbunit, Klosit, Spartakut, Partizanit B, Luzit, Gramshit, Internacional, Tirana B, Sopoti, Kukësi B, Ada, Kevitan dhe Rubiku. Gara në mes 14 ekipeve pjesmarrëse të këtij grupi pritet të jetë e fortë pasi vetëm njëri do ngjitet një kategori më lart. Kjo do të thotë se gjërat do të jenë jo pak të lehta për “Vllazninë B” e cila mision të saj do të ketë ngjitjen në këtë kategori, prej së cilës në fakt zbriti jo me garë por falë rregulloreve të Federatës.

Gjithsesi, tashmë nis një detyrë tjetër për këtë ekip dhe ajo çfarë duhet thënë është se deri në këto momente dihet vetëm që trajner i tij do të jetë sërish Ervis Kraja. Për të tjerat ende nuk ka asnjë informacion nga klubi shkodran. Ajo që është më kryesorja, nuk dihet cila do të jetë përbërja e tij. Disa nga lojtarët që kanë luajtur me të sezonin e kaluar, janë larguar për tek Veleçiku, Besëlidhja apo ndonjë skuadër tjetër.

Të tjerë janë duke u stërvitur tek ekipi i parë i Vllaznisë. Duket se kjo situatë do të vazhdojë edhe për disa ditë derisa të vendoset përfundimisht se cilët do të jenë 25 lojtarët që do të ketë në dispozicion trajneri Lika tek ekipi i parë. Pjesa tjetër e futbollistëve do të spostohet tek ekipi B dhe atyre mund t’u shtohen dhe të tjerë futbollistë nga Akademia. Pavarësisht kësaj, objektivi nuk do të ndryshojë. “Vllaznia B” duhet të rikthehet sërish në kategorinë e parë.

Lexoni dhe kete

LEKA: VLLAZNIA FEMRA PARAQITJE POZITIVE NË CHAMPIONS

Paraqitja e Vllaznisë së femrave këtë sezon në Ligën e Kampioneve të Europës është konsideruar …