Monday , 17 January 2022

VLLAZNIA BËN DETYRËN, MUND 4 – 0 LABËRINË

Katër gola të shënuar, dy 11-metërsha të humbur dhe tre shtylla të goditura. Ky është verdikti i ndeshjes së kthimit të turit të parë të Kupës së Shqipërisë në mes Vllaznisë dhe Labërisë.

Në fund të takimit të luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi” ekipi shkodran ka fituar me rezultatin e pastër 4-0 dhe në këtë mënyrë është kualifikuar për në turin e dytë të këtij kompeticioni. Por pavarësisht rezultatit të thellë, duhet thënë se nuk ka qenë një fitore e lehtë.

Pjesa e parë është mbyllur 1-0, me golin e shënuar nga Gjurgjeviç, ndërsa në të dytën Latifi do të humbte një 11-metërsh para se Aralica të shënonte golin e dytë në minutën e 78-të. Pas këtij goli gjithçka mbyllet dhe në fushë është vetëm Vllaznia që do të shënonte edhe me anë të Mustedanagiç e Heriç, ndërsa në shtesë edhe Uheid Hoxha do humbiste një tjetër 11-m etërsh.

Përfundimisht 4-0 për Vllazninë dhe ky rezultat dhe loja e zhvilluar duket se kanë lënë të kënaqur trajnerin Brdariç i cili e ka shprehur këtë gjë në prononcimin e tij të dhënë për mediat pas përfundimit të ndeshjes…

Përkthimi: “Kane qenë dy ndeshje që kanë dhuruar një sfidë shumë të madhe për ne. Nuk duhej të nënvlerësonim askënd dhe si rrjedhojë bëmë një ndeshje të mirë. Kuptohet që kundërshtari bëri më të mirën e vet, por ne e patëm pak të vështirë për të dalë në lojën tonë edhe nga fusha e cila ishte një sfidë më vehte për ne, megjithatë e rëndësishme ishte fitorja sot.

Të luash në këtë fushë padyshim që më i favorizuar është ajo skuadër që dëshiron të mbrohet dhe kjo na e vështirësoi disi punën, por mund të kishim shënuar edhe 5-6 gola në këtë ndeshje. Ne ecim përpara, e rëndësishme është që u kualifikuam dhe vazhdojmë rrugën tonë.”

Vllaznia është fituese e Kupës së Shqipërisë në fuqi dhe padyshim që edhe këtë sezon ka synime ambicioze edhe në këtë kompeticion. Ajo tashmë pret të mësojë emrin e kundërshtarit me të cilin do të ndeshet në turin e dytë, ndeshjet e të cilit do të zhvillohen gjatë muajit nëntor dhe ku padyshim që objektivi do të jetë kualifikimi.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA NISET PËR STËRVITJE DREJT ULQINIT

Vllaznia është nisur paraditen e së mërkurës drejt Ulqinit ku do të stërvitet për pak …