VLLAZNIA – DINAMO TË SHTUNËN NË “RESHIT RUSI”

Tashmë është gjithçka e përfunduar. Kampionatet e futbollit rikthehen fundjavën që vjen me ndeshjet e tyre të javës që shkoi të cilat nuk u zhvilluan për shkak të bojkotit të arbitrave. Vllaznia do të presë të shtunën në orën 15.00 në fushën sportive “Reshit Rusi” ekipin e Dinamos. Një ndeshje rivalësh historikë e cila pavarësisht se i gjen këto dy ekipe në pozita aspak komode, pikërisht në kategorinë e parë, sërish mbetet një sfidë interesante. Në kampin shkodran janë të përgatitur për ta kaluar me sukses këtë ndeshje. Fitorja javën e kaluar në Peshkopi ndaj Korabit, ka rritur entuziasmin dhe tashmë trajnerë e lojtarë janë të bindur se do ia dalin edhe në takimin e rradhës ndaj bluve.

Diçka pozitive është rikuperimi i disa lojtarëve që kanë patur probleme me dëmtimet teksa rumuni Ignat dhe mesfushori Hajdari duken të gatshëm dhe me shumë mundësi edhe kapiteni Lika. Disi më ndryshe qëndron puna me mbrojtësin Malota që ndonëse po stërvitet me grupin, ende nuk duket 100 për qind gati për lojë. Megjithatë ky nuk përbën justifikim sepse Vllaznia edhe në Peshkopi, në një fushë shumë të vështirë, ia doli të fitonte ndonëse kishte katër mungesa të rëndësishme në formacion.

Kalendari është shumë i favorshëm tashmë për Vllazninë sepse pas Dinamos, do të presë edhe Besëlidhjen në Shkodër dhe më pas do të udhëtojë drejt Shijakut për të luajtur ndaj Erzenit ndeshjen e fundit të kësaj gjysme të parë të fazës së tretë të kampionatit. Drejtuesit e klubit janë të mendimit se skuadra i ka mundësitë që në këto tre ndeshje të mbyllë kampionatin dhe kjo do t’i jepte mundësinë stafit teknik që të aktivizonte lojtarët e rinj në ndeshjet e mbetura deri në fund.

Lexoni dhe kete

LIKA: FITIMI I KUPËS S’KISHTE RËNDËSI, OBJEKTIVIN E ARRITËM

Zhgënjim në rradhët e tifozëve shkodranë për humbjen e Vllaznisë në finalen ndaj Bylisit dhe …