Monday , 16 September 2019

VLLAZNIA E FEMRAVE SIGURON TITULLIN E 6-të KAMPION

Gjashtë vite ekzistencë, gjashtë tituj kampionë të fituar. Një sukses i jashtëzakonshëm për ekipin e futbollit të femrave të Vllaznisë që dominon në mënyrë absolute në Shqipëri. Nëse këtyre gjashtë titujve kampionë u shtojmë edhe gjashtë Kupat e fituara, gjithçka bëhet edhe më e bukur. Një ecuri e shkëlqyer e cila vijon dhe me siguri që do të jetë kështu edhe në të ardhmen. Titulli i gjashtë do të festohet javën e ardhshme pas përfundimit të javës së fundit të kampionatit, por ditën e shtunë është siguruar matematikisht.

Një titull që vjen një javë para fundit të kampionatit teksa diferenca me Tirana AS, ndjekësen e saj më të afërt, ka shkuar në plot 8 pikë tashmë. Në ndeshjen e së shtunës, atë ndaj Bilisht Sport, ekipi shkodran ka bërë detyrën duke fituar me rezultatin 6-0. Edhe në këtë takim, protagonistja kryesore ka qenë sërish Megi Doçi që ka shënuar 5 gola, ndërsa tjetri ka patur për autore sulmuesen Marsela Djegsina.

Pavarësisht se vajzat kuqeblu e kanë siguruar që dje titullin kampion, festa do të zhvillohet javën e ardhshme pas ndeshjes së fundit të kampionatit, asaj me Tirana AS. Ky takim sipas kalendarit është i parashikuar të luhet në kryeqytet por drejtuesit e Vllaznisë janë duke tentuar që ta spostojnë atë në Shkodër, kuptohet me mirëkuptimin e drejtuesve të këtij ekipi, në mënyrë që edhe festa e titullit të gjashtë të jetë më e bukur.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA HUMBET NË FUND MIQËSOREN E DYTË NË KOSOVË

Vllaznia në basketboll për meshkuj nuk ia ka dalë që të fitojë miqësoren e dytë …