Sunday , 17 February 2019

VLLAZNIA E KËNAQUR ME DISTANCËN, SYTË NGA SUPERIORJA

Vllaznia ka fituar ditën e dielë ndaj Shënkollit me rezultatin 3-0 e ka rritur sërish distancën në shtatë pikë me ndjekësen e saj më të afërt, ekipin e Erzenit. Kuqeblutë duket se e kaluan momentin jo të keq të ditëve të fundit që u shoqërua me eliminimin në kupë dhe humbjen në kampionat ndaj shijakasve. Tashmë ata janë fokusuar tek gara në kampionat dhe arritja e objektivit, ngjitja në Superligë. Natyrisht që gjërat duken në rrugën e duhur sepse me këtë diferencë që kanë nga ndjekësit, por edhe gjendjen e ekipit dhe përbërjen që ai ka, kjo gjë është mëse e arritshme.

Megjithatë distanca prej shtatë pikësh me shijakasit mund të thellohet edhe më shumë në dy javët e mbetura të fazës së dytë, përpara se të bëhet përgjysmimi i pikëve në fazën e tretë. Kalendari i dy javëve të mbetura të fazës së dytë është sërish në favor të Vllaznisë e cila ka praktikisht dy ndeshje të lehta në letër. Do luajë këtë javë në transfertë me Vorën, ekipin  e vendit të fundit të renditjes dhe në javën e fundit pret në Shkodër ekipin e Ilirisë. Ndërkohë Erzeni pas humbjes me Veleçikun, ka një tjetër transfertë të vështirë me Shënkollin këtë javë dhe në fund pastaj do të presë Vorën.

Me shumë të ngjarë, Vllaznia do ta thellojë edhe më shumë distancën me shijakasit dhe kjo do t’ia bënte më të lehtë rrugën asaj në fazën e tretë. Në Shkodër janë të bindur se do ia dalin dhe me shumë mundësi objektivi i Superligës është mëse i arritshëm. Trajneri Lika nuk e ka vënë asnjëherë në dyshim këtë gjë por nga ana tjetër, specialistë të ndryshëm prej kohësh theksojnë se drejtuesit duhet  të nisin menjëherë punën për skuadrën e sezonit të ardhshëm në Superligë.

Lexoni dhe kete

SHENKOLLI NUK FAL, ERZENI I LARGOHET KREUT

Ekipi i Erzenit duket se ka dalë nga lufta për vendin e parë.Shijakasit kanë pësuar …