Tuesday , 16 January 2018
Breaking News

VLLAZNIA E MBYLL ME ZHGËNJIM. MUNDET 1-3 NGA PARTIZANI

Besimi për të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e fundit të këtij viti, nuk ka rezultuar I tillë. Vllaznia ka zhgënjyer ndaj Partizanit duke humbur me rezultatin 1-3. Padyshim që ky rezultat, I rëndon edhe më shumë pozitat e kuqebluve që e mbyllin vitin 2017 në vendin e parafundit në renditje. Kuqeblutë e nisën ndeshjen me një ndryshim në formacion. U rikthye në  qendër të mbrojtjes Marku i cili kishte zënë vendin e e Gurishtës me probleme dëmtimi edhe ky. Të tjerët kanë qenë po ato të ndeshjes së kaluar. Por në fakt, ndeshja nuk ka nisur mirë për kuqeblutë. Në minutën e 9-të, mbrojtja e tyre nuk vendoset siç duhet në një goditje dënimi të kundërshtarit duke e lënë krejtësisht të lirë Ibrahimin brenda zone dhe ai nuk ngurron ta çojë topin në rrjetë. Ky gol duket se do të ndikonte në ecurinë e mëtejshmë të shkodranëve në këtë ndeshje por në fakt, disavantazhi zgjat vetëm dy minuta.

Lika ka nisur një top shumë të bukur pas shpine për Çinarin i cili i ikën mirë mbulimit të kundërshtarit dhe me një gjuajtje tokazi, e dërgon topin në rrjetë. Në minutën e 32-të ndërkohë, ka qenë një mundësi shumë e mirë për Orelesin që me kokë mund të shënonte golin e dytë për Vllazninë. Edhe Partizani ka një rast me Bardhin por që neutralizohet si duhet nga portieri Sherri. Në këtë mënyrë pjesa  e parë u mbyll në barazim 1-1. Në të dytën, ekipet e nisin sërish me të njëjtën mënyrë loje ndërkohë që në minutën e 60-të, trajneri Gjoka do të kryente zëvendësimin e parë duke larguar Krymin për Tafilin. Megjithatë është Partizani që do të tregohej më I rrezikshëm. Fillimisht me anë të Kalarit që rrezikon nga një goditje dënimi dhe në minutën e 66-të do të ishte Progni që do të shënonte golin e dytë për të kuqtë. Vllaznia u mundua të reagonte por pa rezultat. Madje në minutën e 83-të do të ishte Bardhi që do të shënonte edhe golin e tretë për të kuqtë të cilët marrin kësisoj një trepikësh me shumë vlerë ndërsa shkodranët e mbyllin të parafundit vitin 2017, një vit krejtësisht për t’u harruar prej tyre.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA FITON THELLËSISHT 7-1 MIQËSOREN ME “VLLAZNINË B”

Vllaznia ka fituar me rezultatin e thellë 7-1 miqësoren e luajtur pasditen e së shtunës …