Wednesday , 17 January 2018

VLLAZNIA E PËRQENDRUAR TEK SFIDA ME FLAMURTARIN

Tek Vllaznia kanë filluar të mendojnë për ndeshjen e së mërkurës me Flamurtarin, ndeshje e cila po afron dhe tashmë në kampin shkodran po i japin dorën e fundit përgatitjeve për të. Ditën e sotme, ekipi ka zhvilluar dy seanca stërvitore ndërsa nga nesër do të punohet kryesisht në anën taktike për ndërtimin e mënyrës së lojës për këtë takim. Është një sfidë e cila duhet fituar patjetër sepse ndryshe pozitat për Vllazninë në renditje do të rëndoheshin edhe më shumë. Por padyshim që nuk do të jetë e lehtë sepse vlonjatët po bëjnë një paraqitje shumë të mirë në këtë kampionat.

Trajneri Cungu ka disa dilema për ndërtimin e formacionit për këtë ndeshje. Dilemat kryesisht ekzistojnë për aktivizimin apo jo të Vucajt nga minuta e para në mesfushë dhe po ashtu edhe për atë se cilin futbollist duhet të vendosë në krahun e majtë të mesfushës. Ai i ka provuar të tre deri më tani, si Krujën, ashtu edhe Çinarin dhe Kalajen por asnjëri prej tyre nuk ka bindur plotësisht dhe për rrjedhojë ka patur rotacion.

Të tjerët ndërkohë kanë qenë stabël në formacion dhe kështu pritet të jetë edhe për sfidën e rradhës. Duke filluar nga portieri Selimaj që pavarësisht gabimit në Laç pritet të jetë përsëri titullar e për të vazhduar me katërshen e mbrojtjes të përbërë nga Gocaj, Pjeshka, Orelesi e Marku. Në mesfushë ndërkohë të sigurtë duken Krymi, Hasani e Lika e po ashtu edhe në sulm Ribaj. Kuqeblutë patjetër që e kanë marrë shumë seriozisht sfidën me vlonjatët të cilët janë paraqitur mirë në këto javë të para të kampionatit, por gjithsesi ndaj tyre duhet patjetër fitorja dhe ata që do të jenë në fushë duhet të japin maksimumin për t’ia arritur kësaj.

Lexoni dhe kete

BASKETBOLL MESHKUJ, TË PREMTEN ORA 18.00 VLLAZNIA- TIRANA

Viti 2018 do të nisë me një sfidë shumë interesante e kampionatit të basketbollit, ajo …