Tuesday , 18 February 2020
Breaking News

VLLAZNIA, EDHE GLIGOROV I GATSHËM NDAJ TEUTËS

Me tribunën qendrore të mbyllur, Vllaznia do të tentojë të marrë fitoren ndaj Teutës pasditen e së dielës në stadiumin “Loro Boriçi”. Kjo ndeshje do të luhet në orën 16.30 dhe pritet me interes nga të dy ekipet që duan të rregullojnë renditjen e tyre. Shkodranët për t’iu shmangur vendeve të fundit të renditjes dhe durrsakët për t’iu afruar sa më shumë kreut. Klubi shkodran ka bërë të ditur sot edhe çmimet e biletave për ndeshjen e së dielës. Fakti që tribunat A, B dhe VIP do të jenë të mbyllura për shkak të dënimit të dhënë nga Komisioni i Disiplinës, do të thotë se tifozët e Vllaznisë do të kenë në dispozicion tribunat C dhe D ndërsa ata të Teutës nëse do të jenë të pranishëm, do të sistemohen në tribunën E. Në këtë të fundit por edhe në atë C, çmimet e biletave do të jenë 200 lekë të reja ndërsa në tribunën D një biletë do të kushtojë vetëm 300 lekë të reja dhe shitja e tyre do të fillojë nga paraditja e së shtunës.

Drejtuesit e klubit shpresojnë shumë në mbështetjen e tifozëve në këtë takim shumë të rëndësishëm, ashtu siç kanë bërë thirrje për një mbështetje brenda rregullave të lejuara sepse gabimet e bëra në ndeshjet e mëparshme, po i kushtojnë Vllaznisë. Ndërkohë skuadra kuqeblu ka vijuar normalisht me përgatitjet dhe stafi teknik po bën gati skuadrën për takimin e fundjavës.

Përveç brazilianit Hygor që ndodhet ende në vendin e tij, pritet që të gjithë futbollistët e tjerë të jenë të gatshëm për këtë takim, përfshi këtu edhe maqedonasin Gligorov. Ky i fundit ka munguar në ndeshjet e fundit për shkak të një dëmtimi por në dy seancat e fundit i është bashkuar ekipit në stërvitje dhe mendohet të jetë i gatshëm për të dielën. Padyshim që ky është një lajm i mirë për skuadrën sepse është një element cilësor, që do ta ndihmojë Vllazninë për të fituar pas dy ditësh ndaj Teutës.

Lexoni dhe kete

BASKETBOLL FEMRA/ VLLAZNIA FITON LEHTË ME APOLONINË

Vllaznia në basketboll për femra ka marrë një fitore përgjithësisht të lehtë ndaj Apolonisë në …