VLLAZNIA “ENDE NË GJUMË”. ASNJË LËVIZJE TEK KUQEBLUTË

Prej një muaji pritej që në ditët e para të muajit korrik të kishte zhvillime tek Vllaznia, zhvillime këto të kushtëzuar edhe nga vendimet që do të merreshin në Asamblenë e Përgjithshme të saj. Por në fakt, Asambleja u mblodh, madje dy herë dhe ajo çka doli prej saj nuk ishte asgjë që ka të bëjnë me të ardhmen e kuqebluve. Prej këtyre mbledhjeve nuk doli asnjë konkluzion se si duhet vepruar për të ardhmen dhe kur do të bëheshin lëvizjet e para. Kjo gjë ka krijuar një situatë të paqartë tek skuadra shkodrane.

Këshilli Mbikëqyrës është i paplotësuar me numrin e duhur të anëtarëve të tij, mungon administratori, mungon drejtori sportiv dhe po ashtu mungon edhe trajneri. E çuditshme por edhe në media po flitet gjithnjë e më pak për Vllazninë. Mbase vëmendja e të gjithë është përqendruar tek Kampionati Botëror por ky nuk është justifikim. Të gjitha këto dilema presin përgjigje, ashtu siç presin edhe futbollistët për të ditur se çfarë do të bëhet me ta. Disa nga futbollistët shkodranë vazhdojnë të marrin oferta nga ekipet e tjera dhe i rradhës është mesfushori Edon Hasani. Ka qenë ekipi i Tiranës ai që po tenton ta bëjë  pjesë të tij por duket se Hasani më shumë është duke menduar për një lëvizje tjetër jashtë Shqipërisë.

Në këtë mënyrë, aktualisht futbollistët po tentojnë të shohin për ndonjë opsion tjetër për vazhdimin e karrierës sepse shohin që tek Vllaznia gjërat nuk po shkojnë ashtu si duhet. Vonesa në zgjidhjen e problemeve aktuale dhe bërja e një projekti serioz për rikthimin e skuadrës në Superligë, ka detyruar futbollistët të mendojnë largimin. Megjithatë shpresat janë që çdo gjë të fillojë të marrë zgjidhje brenda pak ditësh. Në rast të kundërt, pasojat do të jenë jo të vogla për kuqeblutë.

Lexoni dhe kete

SMAJLAJ MBET PA MEDALJE, RENDITET I KATËRTI

Atleti shkodran Izmir Smajlaj nuk ka arritur dot të futet në zonën e medaljeve në …