Vllaznia në futboll për femra arrin edhe fitoren e gjashtë në kampionat. Këtë herë “viktimë” e saj ka qenë ekipi Tirana AS, ndaj të cilit vajzat shkodrane kanë fituar me rezultatin 5-0. Ndonëse kryeqytetaset vinin si të dytat në renditje, diferencat në fushë kanë qenë të mëdha. Golin e parë të ndeshjes e ka shënuar Uendi Muja ndërsa më pas do të ishte Megi Doçi që do të shënonte dy gola. Pjesa e parë do të mbyllej me shifrat 3-0 ndërkohë që në pjesën e dytë, do të ishte mesfushorja Suada Jashari që do të shënonte edhe dy gola të tjerë duke kompletuar fitoren e kuqebluve në këtë takim. Trajneri Nikolin Leka ndryshe nga një javë më parë kur nuk ishte shumë i kënaqur nga loja e zhvilluar nga ekipi i tij, këtë herë mendon ndryshe.
Kampionet në fuqi të Shqipërisë në futbollin e femrave në këtë mënyrë po shkojnë të sigurta drejt titullit të katërt kampion rradhazi dhe sfida e kundërshtareve të tyre në këtë kampionat duket se nuk është kush i merr qoftë edhe një barazim të vetëm por se kush do t’i shënojë gol. Kjo ngaqë, Vllaznia ende nuk ka pësuar gol në këto gjashtë javë kampionat ndërkohë që ka shënuar 58 të tillë. Shifra këto natyrisht të denja për një ekip dominues në këtë futboll në vendin tonë.