VLLAZNIA FEMRA NË PRITJE TË ZYRTARIZIMIT TË TITULLIT TË PESTË

Vllaznia në futboll për femra ka fituar edhe një tjetër ndeshje në kampionat, këtë herë ndaj skuadrës së vendit të dytë, Apolonisë dhe ecën e sigurtë drejt titullit të pestë kampion rradhazi. Mund të duket disi e çuditshme por skuadra shkodrane, ndryshe nga shumë ndeshje të tjera, këtë herë ka fituar me rezultatin e ngushtë 1-0. Autore e golit të vetëm të ndeshjes është Megi Doçi. Sulmuesja kuqeblu ka shënuar në minutën e 70-të dhe ky gol i ka mjaftuar ekipit shkodran për të marrë trepikëshin e rradhës në kampionat. Ky gol ka ardhur nga një goditje dënimi, që janë edhe specialitet i kësaj futbollisteje. Rastet në fakt nuk kanë munguar, madje ka patur edhe goditje shtyllash në 2 momente, por topi ka shkuar në rrjetë vetëm një herë.

Duhet thënë se tek futbollistet e Vllaznisë janë vërejtur edhe shenja lodhjeje sepse siç dihet, shtatë prej tyre kanë luajtur me kombëtaren shqiptare dy ndeshje brenda pak ditësh. Me këtë fitore, kampionet në fuqi të vendit janë ngjitur në kuotën e 42 pikëve pas 14 fitoresh të arritura në po kaq ndeshje të luajtura. Një ecuri e jashtëzakonshme e këtij ekipi që vazhdon të dominojë në futbollin shqiptar të femrave prej vitesh. Ai e kanë çuar tashmë në 11 pikë diferencën me ekipin e vendit të dytë që ndahet nga Apolonia dhe Kinostudio dhe thjesht ka mbetur vetëm çështje zyrtarizimi i titullit të pestë kampion rradhazi për të. Një sukses i merituar, mbi të gjitha falë investimit të presidentit Lazer Matija që ka arritur të krijojë një ekip model por edhe i punës së vajzave dhe stafit teknik.

https://www.youtube.com/watch?v=FgV-lG82OOo&feature=youtu.be

Lexoni dhe kete

ÇIKLISTËT E VLLAZNISË ME PRETENDIME NË TURNEUN “KORÇA”

Çiklistët e Vllaznisë po bëhen gati për aktivitetet më të rëndësishme siç janë kampionati kombëtar …