VLLAZNIA FEMRA NIS PËRGATITJET PËR “CHAMPIONS LEAGUE”

Pasi ka mësuar emrat e ekipeve kundërshtare, Vllaznia në futboll për femra ka nisur përgatitjet për ndeshjet e Ligës së Kampioneve të Europës. Ndeshje këto që siç është bërë e ditur do të luhen në datat 7-13 gusht në Sarajevë të Bosnjës. Përballë kampiones së Shqipërisë do të jenë skuadrat kampione të Estonisë, Moldavisë dhe të Bosnjë- Hercegovinës. Kuptohet që objektivi i ekipit shkodran është kalimi i turit megjithatë nuk do të jetë e lehtë sepse sidomos dy nga tre kundërshtaret e tij kanë edhe ato pretendime dhe janë ekipe shumë të mira. Bëhet fjalë për ekipin Paru, kampione e Estonisë si dhe SFK Sarajevo 2000 të Bosnjës.

Por pavarësisht këtij fakti, edhe Vllaznia do të tentojë kualifikimin për në turin e dytë të këtij kompeticioni të rëndësishëm, për të arritur atë që përpak nuk e arriti një sezon më parë. Për këtë arsye, presidenti Matija ka nisur edhe lëvizjet e duhura për forcimin e skuadrës në pikat ku ajo ka më shumë nevojë. Dy përforcimet e para tashmë janë bërë. Bëhet fjalë për dy futbolliste të spikatura tek ekipi i Apolonisë së Fierit, Zarka dhe Levendi të cilat i janë bashkuar ekipit në stërvitje dhe do jenë pjesë e tij në ndeshjet e Ligës së Kampioneve. Përveç tyre, në ditët e ardhshme priten edhe përforcime të tjera.

Problemi i vetëm mbetet gjetja e një portiereje cilësore. Deri më tani kjo gjë nuk është realizuar megjithatë po shikohen të gjitha mundësitë për ta plotësuar edhe këtë repart që në fakt është një pikë shumë delikate sidomos në futbollin e femrave. Vllaznia e ka marrë shumë seriozisht nisjen e përgatitjeve për këtë aktivitet shumë të rëndësishëm dhe në ditët e ardhshme do të nisin edhe miqësoret të cilat do t’i shërbejnë stafit teknik për kolaudimin sa më mirë të ekipit.

Lexoni dhe kete

BURRAJ: REKORDET E THYERA NË TARRAGONA, JANË VETËM FILLIMI

Në garat e atletikës të Lojërave Mesdhetare “Tarragona 2018” ka spikatur edhe atleti shkodran Franko …