Thursday , 5 December 2019

VLLAZNIA FITON 1 – 0 MIQËSOREN NDAJ OHRIT

Vllaznia e ka fituar edhe miqësoren e dytë të këtij pragsezoni dhe sërish me të njëjtin rezultat, 1-0 ashtu siç dhe mundën katër ditë më parë Besëlidhjen. Këtë herë ata kanë triumfuar në Ohër ndaj ekipit vendas me të njëjtin emër, ekip ky që luan në ligën e dytë të futbollit maqedonas. Stafi teknik I Vllaznisë e ka nisur këtë ndeshje me portierin Sherri, për të vazhduar me katërshen e mbrojtjes të përbërë nga Gurishta në të djathtë, Ristevski dhe Malota në qendër dhe maqedonasi tjetër Gligorov në të majtë. Ndërkohë treshja e mesfushës ka qenë e përbërë nga Krymi, Marku dhe Zogaj. Ndërkohë në vijën e parë ka debutuar për herë të parë pas rikthimit Shtubina, I cili është ndihmuar nga Lika dhe Kruja.

Ndeshja ka nisur më mirë për vendasit të cilët nga sa mësohet kanë fituar edhe një 11-metërsh të cilin nuk kanë arritur dot ta kthejnë në gol ngaqë topi është pritur nga portieri Sherri. Në minutën e 34-të ndërkohë ka qenë mesfushori Arsid Kruja ai që ka shënuar golin e vetëm të ndeshjes. Pjesa e parë ka qenë e dominuar përgjithësisht nga kuqeblutë që kanë shfaqur një formë të mirë sportive.

Në të dytën, trajneri Jonuz ka hedhur në fushë të gjithë lojtarët që ka patur në dispozicion, përfshi këtu edhe mesfushori moldav Kojakaru I cili në këtë mënyrë ka debutuar me fanellën kuqeblu. Gjatë kësaj pjese nuk ka patur zhvillime të tjera dhe për rrjedhojë gjithçka është mbyllur me rezultatin 1-0 për Vllazninë. Në ditët e ardhshme ekipi shkodran do të luajë edhe të tjera ndeshje miqësore që do ta ndihmojnë stafin teknik për të konsoliduar sa më mirë formacionin dhe mënyrën e të luajturit në prag të nisjes së kampionatit të ri.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA MUND 3 – 2 PRISHTINËN NË KUPËN E 100 VJETORIT

“Viti I Vllaznisë” ka vijuar me një tjetër aktivitet të organizuar nga Bashkia Shkodër me …