Wednesday , 2 December 2020

VLLAZNIA FITON 2-0 MIQËSOREN ME STRUGËN

Me nga një gol të shënuar në secilën pjesë loje, Vllaznia ia ka dalë të marrë edhe fitoren e dytë në po kaq ndeshje miqësore të luajtura në këtë fazë përgatitore përpara startit të gjysmës së dytë të sezonit futbollistik. Kuqeblutë këtë herë kanë mundur 2-0 ekipin e Strugës I cili merr pjesë në Superligën maqedonase. Në takimin e luajtur në Ohër, në formacionin e parë të ekipit shkodran janë vërejtur disa ndryshime. Kështu, Sherri ka qenë si zakonisht në portë, ndërkohë që në mbrojtje kanë luajtur Lekaj nga e djathta e Marku në të majtë ndërkohë që në qendër ka qenë dyshja Shehi- Adili. Ndryshime edhe në mesfushë teksa përkrah Krymit ka qenë Gurishta në qendër dhe para tyre Bardulla ndërkohë që treshja e sulmit ka qenë e përbërë nga Shtubina, Kruja dhe Hristov.

Në pjesën e parë, Vllaznia ka arritur të kalojë në avantazh në minutën e 33-të falë një 11-metërshi të kthyer në gol nga Shtubina. Në pjesën e dytë ndërkohë trajneri Mirsad Jonuz ka aktivizuar thuajse të gjithë futbollistët që ka patur në dispozicion dhe pikërisht njëri prej tyre, 18 vjeçari Olsi Mali ka shënuar edhe golin e dytë të ndeshjes, pikërisht në minutën e 75-të. Në këtë takim nuk është aktivizuar mbrojtësi Gligorov I cili ka patur një shqetësim të vogël dëmtimi ndërkohë që stafi nuk ka aktivizuar as sulmuesi moldav Sidorenko që vazhdon të kryejë stërvitje për të kapur formën e grupit.

Vllaznia ndërkohë do të kthehet ditën e enjte në Shkodër dhe rrugës për në kthim, do të luajë në Elbasan edhe miqësoren e tretë dhe të fundit. Përballë saj do të jetë ekipi I Bylisit. Ky do të jetë testi I fundit përpara ndeshjes së javës të ardhshme ndaj Flamurtarit për kampionat, ndeshje kjo që pritet të luhet ditën e hënë në stadiumin “Loro Boriçi”.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA U19 FITON 5 – 0 “DERBIN” ME KF SHKODRA

Vllaznia U19 vijon të fitojë në kampionat dhe të kryesojë me meritë renditjen edhe pas …