VLLAZNIA FITON 2-0 NË LUSHNJË. SUKAJ SHËNON DYGOLËSH

Vllaznia më në fund rikthehet tek fitorja. Ajo ka mundur 2-0 pasditen e së shtunës ekipin e Lushnjës në fushën e kësaj të fundit. Protagonisti I këtij suksesi ka qenë sulmuesi Xhevahir Sukaj që ka shënuar të dy golat e takimit. Duhet thënë se kuqeblutë që në vërshëllimën e parë të arbitrit Xhaja, janë treguar më kërkues në fushën e lojës dhe kjo gjë ishte e pritshme sepse për ta nuk kishte asnjë zgjidhje tjetër përveç fitores. Në pjesën e parë kanë qenë futbollistët shkodranë që kanë kontrolluar lojën. Mesfusha ka qenë e zotëruar prej tyre por kanë munguar rastet në portën e Spahos. Për këtë arsye, pjesa e parë mbyllet në barazim 0-0.

Në të dytën, edhe Lushnja kërkon të shohë drejt portës së Vllaznisë madje në një moment është portieri Sherri që brenda disa sekondash, shpëton dy herë portën e tij. Por në minutën e 64-të, gjithçka do të merrte rrjedhë tjetër. Kapiteni Lika ka nisur një top të bukur pas shpinës së kundërshtarit për sulmuesin Sukaj që gjuan saktë me të djathtën dhe topi përfundon në rrjetë. Kaq do të mjaftonte që kuqeblutë të merrnin frymë më lirshëm. Dhjetë minuta më vonë, pas një tjetër aksioni, Tafili gjuan drejt portës së Lushnjës topi kthehet në zonë dhe Sukaj kërkon ta dërgojë në rrjetë por ai ndalet në dorën e mbrojtësit Premçi. Arbitri Xhaja ka treguar pikën e bardhë duke akorduar 11-metërsh për miqtë. Atë e merr përsipër ta ekzekutojë vetë Sukaj që është I saktë dhe shënon golin e dytë personal por edhe të fundit të ndeshjes.

Përfundimisht 2-0 për Vllazninë që ngjitet në kuotën e 18 pikëve duke marrë disi frymë më lirshëm por vetëm sot. Tashmë atë e pret një tjetër finale, ajo me Teutën që duhet fituar patjetër. Kampionati I vërtetë për shkodranët tashmë ka filluar.

Lexoni dhe kete

TEK VLLAZNIA ENDE BESOJNË TEK MBIJETESA NË SUPERLIGË

Kur kanë mbetur edhe tre javë deri në përfundim të kampionatit, situata tek Vllaznia nuk …