Wednesday , 24 January 2018

VLLAZNIA FITON 3-2 ME KAMZËN. TRE PIKË ME SHUMË VLERË PËR TË

Vllaznia ka marrë një fitore shumë të vështirë por me shumë vlera në ndeshjen ndaj Kamzës të luajtur pasditen e së shtunës në stadiumin “Loro Boriçi”. Kuqeblutë kanë fituar me rezultatin e ngushtë 3-2 dhe me këtë trepikësh ata marrin disi frymë më lirshëm. Në pjesën e parë ka qenë Ribaj që ka zhbllokuar rezultatin ndërsa në fillimin e së dytës, është Çinari me kokë që dyfishon shifrat. Duket se ndeshja do të mbyllet këtu por Plaku shumë shpejt do të shënonte golin e parë me Kazmën.

Ndërkohë po ky futbollist do të kishte mundësinë të barazonte edhe shifrat por nga pika e bardhë e 11-metërshit e dërgon topin jashtë. Vllaznia reagon dhe pas një pasi shumë të bukur të Likës, Kalaja do të shënonte golin e tretë. Edhe Kamza nuk heq dorë dhe Imeri përfiton nga një gabim i Gocajt duke shënuar golin e dytë. Ky rezultat nuk do të ndryshonte deri në fund dhe Vllaznia kësisoj merr një trepikësh me shumë vlerë por në një përballje shumë të vështirë. Të tillë e ka konsideruar pas ndeshjes edhe trajneri Gjoka në prononcimin për mediat ndërsa trajneri i Kamzës Ndreu u shpreh se rezultati  i barabartë do të kishte qenë më i drejtë.

Ndeshja e fundit e këtij viti për Vllazninë do të jetë ajo e së premtes në Tiranë me Partizanin e cila vërtetë konsiderohet e vështirë megjithatë kuqeblutë do pretendojnë të marrin pikë edhe aty.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA NIS PËRGATITJET PËR SFIDËN E SË PREMTES ME KUKËSIN

Vllaznia ka nisur që ditën e djeshme përgatitjet për ndeshjen e së premtes ndaj Kukësit. …