Saturday , 14 December 2019

VLLAZNIA FITON EDHE NJË TJETËR NDESHJE MIQËSORE

Tjetër fitore për ekipin e Vllaznisë në ndeshjet miqësore që ajo është duke zhvilluar para fillimit të kampionatit të ri. Këtë herë kuqeblutë kanë triumfuar me rezultatin 2-1 ndaj ekipit Labunishta që merr pjesë në kategorinë e dytë të futbollit maqedonas. Trajneri Mirsad Jonuz e ka nisur ndeshjen me portierin Sherri, e më pas me Gurishtën, Shehin, Malotën, Gligorov, Krymin, Shtubinën, Markun, Zogajn, Krujën dhe Pusin. Në pjesën e parë ka qenë sulmuesi Pusi që ka kaluar në avantazh ekipin shkodran dhe me këtë gol do të mbyllej pjesa e parë.

Në fillimin e së dytës ka qenë Shtubina ai që ka shënuar edhe golin e dytë. Më pas, stafi teknik ka aktivizuar edhe Qarri, Ristevski, Repaj, Lekaj, Palushani, Smajli e Kojakaru. Me aktivizimin e këtyre lojtarëve normalisht që niveli i lojës ka rënë disi dhe nga kjo kanë përfituar maqedonasit që kanë ngushtuar shifrat, madje kanë qenë edhe shumë pranë barazimit. Por kjo nuk ka ndodhur dhe kësisoj i gjithë takimi është mbyllur me fitoren e Vllaznisë 2-1. Kjo ka qenë ndeshja e fundit miqësore për kuqeblutë në Maqedoninë e Veriut, ndërkohë ekipi pasditen e së premtes do të kthehet në Shkodër, duke i dhënë kështu fund përgatitjeve të bëra në shtetin fqinj.

Nga ana tjetër, nuk përjashtohet mundësia që në fundjavë Vllaznia të zhvillojë edhe një tjetër ndeshje miqësore në stadiumin “Loro Boriçi”, ndeshje kjo që do të testi më serioz në prag të ndeshjes së parë të kampionatit, asaj me Laçin që do të luhet javën e ardhshme në Shkodër.

Lexoni dhe kete

VELEÇIKU – KORABI, NJË SFIDË DELIKATE NË “RESHIT RUSI”

Veleçiku do të kërkojë të rikthehet tek fitorja këtë fundjavë teksa do të tentojë të …