VLLAZNIA FRIKË NGA EUFORIA. STAFI “I TËRHEQ VESHIN” LOJTARËVE

Pas fitores të së hënës ndaj Flamurtarit, Vllaznia i është rikthyer sërish stërvitjes pasditen e së mërkurës. Dita e djeshme në fakt ka qenë ditë pushimi për kuqeblutë. Një pushim i ligjshëm që vinte pas një fitoreje shumë të bukur me Flamurtarin dhe për më tepër, kuqeblutë vinin pas një periudhë të ngarkuar me ndeshje. Kjo ka sjellë dhe një lodhje fizike të tyre prandaj stafi teknik u ka kërkuar pushim dhe mbajtje regjimi futbollistëve.

Nga sot ndërkohë kanë nisur edhe stërvitjet teksa pasdite ekipi ka zbritur në fushë për të nisur përgatitjet për sfidën e rradhës, atë me Kamzën. Para saj është zhvilluar edhe analiza e ndeshjes së kaluar e cila në fakt ka qenë pozitive. Por sipas trajnerit Gjoka ka edhe dobësi të cilat patjetër që duhen analizuar në mënyrë që të korigjohen sepse kampionati po vështirësohet gjithnjë e më shumë. Siç bëhet e ditur, gjatë analizës nuk kanë munguar edhe kritikat për elementë të caktuar të skuadrës të cilët duhej të kishin qenë më të përgjegjshëm në fushë, pse jo për të synuar një fitore edhe më të thellë në atë takim. Edhe administratori Gjyrezi ka kërkuar nga futbollistët që të lënë mënjanë euforinë sepse i pret një sfidë tjetër e vështirë.

Tek Vllaznia në fakt gjithnjë ka qenë problem karikimi i skuadrës pas një ndeshje të bukur. Ndoshta vetë karakteri i shkodranëve është i tillë që kënaqen shpejt por kjo eufori mund t’i dëmtojë. Jo më kot, trajneri Gjoka pas ndeshjes me Flamurtarin nuk është shfaqur shumë euforik duke thënë se kampionati sa vjen e vështirësohet dhe skuadra duhet të qëndrojë me këmbë në tokë. Ai i druhet euforisë së futbollistëve të tij sepse në fund të fundit nuk është arritur asgjë. Kampionati ka shumë rrugë deri në fund dhe Vllaznisë i duhen edhe shumë pikë për të arritur objektivin që ka.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA U-15 SHPALLET KAMPIONE PËR ZONËN E VERIUT

Vllaznia U-15 është kampionia e parë e shpallur për sezonin 2017-2018 në futbollin e moshave …