Monday , 17 January 2022

VLLAZNIA GATI FORMACIONIN ANTI- DINAMO

Vllaznia po i jep dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e së hënës ndaj Dinamos ku padyshim që do të kërkohet fitorja. Stafi teknik po ashtu ka gati edhe formacionin me të cilin skuadra do të luajë në këtë takim, por mbetet për t’u zgjidhur vetëm një dilemë, ajo nëse do të luhet me 3 apo me 4 sulmues.

Ndaj Labërisë për kupë në fushë ishin Ardit Hoxhaj, Latifi, Gjurgjeviç e Aralica dhe ende nuk është e qartë nëse kjo katërshe do të luajë edhe ndaj bluve apo jo. Nëse jo, atëherë do të sakrifikohet njëri prej tyre, për t’i hapur rrugë aktivizimit të Heriç në qendër të mesfushës. Të tjerët tashmë janë të konfirmuar.

Duke filluar nga portieri Zogoviç, për të vazhduar me katërshen e mbrojtjes ku do të luajnë Kruja në të djathtë e Hakaj në të majtë, ndërsa në qendër do të jetë dyshja Gurishta- Diagne. Edhe dy mesfushorët Krymi e Jonuzi do të jenë në fushë nga minuta e parë, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar katërshja tjetër.

Pavarësisht këtij fakti, Vllaznia është e detyruar të kërkojë fitoren. Dinamo vjen me objektiv të qartë për të mos dalë pa pikë dhe në këto katër javët e para ka treguar se është e vështirë për ta mundur. Megjithatë në Shkodër nuk duan t’ia dinë se çfarë do bëjë kundërshtari.

Kuqeblutë duhet të fitojnë me çdo kusht sepse vetëm në këtë mënyrë do të munden të ruajnë hapin e ekipeve të tjera pretendente për titull. Ata do të kenë edhe mbështetjen e tifozëve të cilët pritet të jenë në numër të konsiderueshëm për këtë sfidë.

Klubi shkodran ka bërë të ditur se shitja e biletave ka nisur dhe risia këtë herë do të jetë edhe hyrja e femrave pa biletë, çka do të thotë se numri i tyre në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” pritet të jetë i konsiderueshëm.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA NISET PËR STËRVITJE DREJT ULQINIT

Vllaznia është nisur paraditen e së mërkurës drejt Ulqinit ku do të stërvitet për pak …