VLLAZNIA, GRUMBULLIM NË POGRADEC PARA SKËNDERBEUT

Ndonëse situata tek Skënderbeu nuk duket shumë e mirë, shoqëruar kjo edhe me bojkot të një seance stërvitore për shkak të mosmarrjes së pagave, tek Vllaznia nuk duan t’ia dinë për këto lajme. Drejtuesit e saj janë duke e vlerësuar maksimalisht këtë ballafaqim në të cilin padiskutim që do të tentojnë të mos dalin pa pikë. Këtë gjë e tregon më së miri edhe fakti që ekipi ka lënë Shkodrën që në mëngjesin e së enjtes, për t’u sistemuar në Pogradec, aty ku do të zhvillojë dy seancat e fundit stërvitore në prag të sfidës me ekipin korçar. Qëllimi i kësaj lëvizje duket se ka të bëjë edhe me përshtatjen e futbollistëve me temperaturat më të ulëta që mbizotërojnë tashmë në qytetin juglindor.

Vllaznia do të vijojë punën kryesisht në aspektin taktik tashmë për të ndërtuar ashtu si duhet skuadrën për këtë takim ku nuk i lejohet humbja ndaj një ekip me të cilin ka kuotë të barabartë pikësh. Për këtë ndeshje, trajneri Jonuz sërish nuk do të ketë të gatshëm brazilianët Hygor dhe Emerson megjithatë nuk duket i shqetësuar sepse pjesa tjetër e lojtarëve do të jetë e gatshme dhe kjo e ngroh atë.

Nëse tek Skënderbeu klima nuk duket e mirë edhe për shkak të bojkotit të stërvitjes që bënë dy ditë më parë futbollistët për mosmarrjen e pagave, tek Vllaznia situata është krejt ndryshe. Ka besim, optimizëm dhe kjo natyrisht që pritet të reflektohet edhe në fushën e lojës. Kuqeblutë për më tepër kanë zhvilluar një sezon shumë të mirë deri tani në ndeshjet në transfertë duke qenë në vend të parë për numrin e pikëve të grumbulluara dhe këtë gjë do të kërkojnë ta reflektojnë edhe ndaj Skënderbeut.

Lexoni dhe kete

UEFA VENDOS: KAMPIONATET E FUTBOLLIT DO TË RIFILLOJNË

Pavarësisht shumë lajmeve që kanë qarkulluar së fundmi, UEFA ngulmon se duhet të të përfundojnë …