VLLAZNIA “HARRON” KAMZËN, TANI MENDJEN TEK PARTIZANI

Barazimi i arritur të shtunën në Kamëz natyrisht që nuk ka qenë rezultati më i mirë i mundshëm për ekipin e Vllaznisë megjithatë ka qenë brenda pritshmërisë së stafit teknik. Vetë trajneri Gjoka një ditë para ndeshjes kishte deklaruar se rëndësi kishte që skuadra të mos humbiste në këtë përballje. Kuqeblutë nga ndeshja në ndeshje po tregojnë se kanë fituar qëndrueshmëri dhe stabilitet si në lojë ashtu dhe në rezultat.

Megjithatë, tashmë vëmendja është përqendruar tjetërkund. Pikërisht tek sfida e së mërkurës ndaj Partizanit. Ndeshje kjo që është e vlefshme për javën e 25-të të Superligës dhe do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”. Orari i përcaktuar fillimisht nga Federata për zhvillimin e këtij takimi ka qenë 14.00 por gjatë ditës së sotme në media po përmendet ora 17.00 për fillimin e saj. Megjithatë gjithçka do të zyrtarizohet paraditen e së hënës. Kjo gjithsesi nuk ka shumë rëndësi. Ajo që vlen mbi të gjitha do të ishte fitorja e këtij takimi. Me Partizanin këto 4-5 sezonet e fundit në fakt Vllaznisë i ka ecur duke i shkaktuar disa humbje, si në Shkodër ashtu edhe në Tiranë. Por ky sezon ka folur ndryshe. Në fazën e parë, të kuqtë fituan 1-0 në Shkodër ndërsa në fazën e dytë 3-1 në kryeqytet.

Tashmë është rradha e Vllaznisë për të fituar. Dhe jo vetëm për statistikë. Kjo fitore i duhet për të vazhduar rrugën e saj drejt arritjes së objektivit sepse ende nuk ka siguruar asgjë. Kuptohet që nuk do të jetë e lehtë sepse Partizani pas fitores së fundit me Luftëtarin kërkon të ngjitet sa më lart në renditje dhe të kapë Kupat e Europës. Për ekipin shkodran ndërkohë një mungesë e rëndësishme në formacion për këtë sfidë do të jetë ajo e Orelesit. Ai është ndëshkuar me kartonin e katërt të verdhë në ndeshjen ndaj Kamzës dhe për këtë arsye, do të jetë i detyruar të mungojë të mërkurën. Trajneri Gjoka natyrisht që do të gjejë zgjidhjen e duhur për ta zëvendësuar atë dhe për të kërkuar me çdo kusht fitoren sepse vetëm ajo vlen për Vllazninë.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA NË PRAG TË NJË REFORME, SKUADRA DO RINOVOHET

Tek Vllaznia ka nisur të flitet prej ditësh për largime futbollistësh. Pas Kalajës edhe Çinarit …