Breaking News

VLLAZNIA “KALENDAR FERRI”, 4 NDESHJE NË 12 DITË

Kjo javë nuk do të ketë ndeshje të kampionateve të futbollit të Superligës dhe të kategorisë së parë për shkak të ndeshjeve që kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë ndaj Spanjës dhe Italisë. Duke mos patur ndeshje ekipin i Vllaznisë natyrisht që është fokusuar tek stërvitja dhe rikuperimi i disa lojtarëve që kanë patur probleme me dëmtimet por kjo situatë nuk do jenë kështu për të në dy javët e ardhshme.

Në 12 ditë, ai do të zhvillojë 4 ndeshje dhe të gjitha me një koefiçent vështirësie shumë të lartë. Kjo padyshim që kërkon një përgatitje të lartë dhe për më tepër, një bollëk lojtarësh në dispozicion sepse mund të jetë e nevojshme edhe alternimi i formacionit. Gjithçka do të nisë me sfidën e së mërkurës tjetër për kampionat me Flamurtarin. Vetëm dy ditë pasi Shqipëria të presë Italinë në “Loro Boriçi”, në këtë stadium do të luajnë shkodranët dhe vlonjatët. Më 11 tetor, do të luhen ndeshjet e javës së pestë të Superligës dhe të dy skuadrat do të mundohen t’i rrëmbejnë njëra- tjetrës fitoren.

Katër ditë më vonë, më 15 tetor, kuqeblutë do të udhëtojnë drejt Kamzës për t’u ndeshur me skuadrën vendase po për kampionat. Kamzalinjtë po tregojnë se nuk janë rastësisht në Superligë sivjet dhe për këtë arsye do të kërkojnë të marrin fitoren e tyre të parë pikërisht ndaj Vllaznisë. Ndërkohë, më 18 tetor do të luhet ndeshja e parë e turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, ajo me Tiranën në “Selman Stërmasi”. Ndeshje kjo që për shumë arsye, duhet vlerësuar në maksimum për të siguruar një rezultat sa më të mirë në mënyrë që fati i kualifikimit për në turin tjetër të kupës të marrë rrugë që në këtë sfidë të parë. Vetëm 4 ditë pas sfidës me bardheblutë, Vllaznia do të presë në Shkodër Partizanin për kampionat. Një periudhë që nuk do t’i lërë futbollistët dhe stafin teknik “të marrë frymë” dhe prandaj ata gjatë këtyre ditëve duhet të përgatiten sa më mirë për këtë kalendar të ngjeshur.

Lexoni dhe kete

KAJOSHI & VJERDHA: SYNOJMË MEDALJE NË LOJËRAT MESDHETARE

Përgatitjet e kombëtares shqiptare të boksit tashmë kanë marrë fund dhe mëngjesin e së shtunës …