VLLAZNIA KËTË JAVË ZBRET NË FUSHËN E STËRVITJES

Pas gati dy muajsh pushim, futbollistët e Vllaznisë pritet të nisin stërvitjen këtë javë. Nga sa bëhet e ditur, drejtuesit e klubit kanë vendosur që të mos i lënë më ata pushim dhe të nisin punën, ndonëse ekipi nuk do të jetë i plotë. Siç dihet, ai ende nuk ka një trajner të parë, megjithatë në këtë start të punës për sezonin e ri pritet që Vllazninë ta drejtojnë dyshja e zëvendëstrajnerëve, Safet Osja e Ideal Lekiqi. Praktikisht, Agim Canaj mund të quhet i larguar dhe do të jenë pikërisht ish-ndihmësit e tij, të cilët do të drejtojnë skuadrën deri në caktimin e trajnerit të parë. Ideja është që në stërvitje të dalin gjatë këtyre ditëve vetëm lojtarët të cilët janë aktualisht nën kontratë.

Një organikë e cunguar, por ashtu siç po mësohet mund të plotësohet edhe gjatë ditëve të ardhshme. Në stërvitjen e kësaj jave pritet që të jenë të pranishëm lojtarët, që momentalisht kanë një kontratë me këtë skuadër.  Emrave të Sherrit, Krymit, Gurishtës, Krujës, Zogajt, Pusit, Palushanit e dyshes që sapo kanë firmosur, Dajan Shehi e Herald Marku, pritet që t’u bashkohet edhe Renato Malota.  Ndërsa me skuadrën që kanë një kontratë dhe do të stërviten me ekipin e parë, do të jenë edhe të rinjtë Qarri, Lekaj, Repaj e Mali.

Por nuk përjashtohet mundësia që këtyre emrave t’u shtohet edhe ndonjë emër tjetër nga grupi i ekipit të 19-vjeçarëve të Akademisë Vllaznia. ideja është që të nisë puna njëherë dhe më pas, gjërat do të marrin rrjedhën e duhur duke u plotësuar si në staf ashtu edhe në organikën e lojtarëve. Ekipi duket i vonuar në njëfarë mënyrë me nisjen e punës për sezonin e ri dhe kjo ka ardhur si rrjedhojë e situatës politike që mbizotëron në vend dhe që ka pushtuar edhe Bashkinë Shkodër, institucion ky që ka në pronësi këtë klub futbolli.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA U-17 MUND KF SHKODRA DHE SHKON NË FINALE

Vllaznia U17 ka dalë në finale të kampionatit kombëtar të kësaj grupmoshe dhe tashmë pretendon …