Friday , 15 January 2021

VLLAZNIA LË PAS FESTAT DHE ZBRET NË FUSHË TË MARTËN

Duhej të fillonte nesër por trajneri Brdariç e ka shtyrë edhe me 24 orë të tjera nisjen e stërvitjes për ekipin e Vllaznisë. Ai ka vendosur t’i lërë edhe një ditë më shumë në dispozicion futbollistëve të tij për të pushuar, pas një periudhe të gjatë ngarkesash që kanë kaluar kohët e fundit.

Dhe përpos kësaj, disa nga lojtarët e huaj që janë aktualisht pjesë e Vllaznisë, e kanë kaluar festën e Vitit të Ri në vendin e tyre. Në fakt, edhe këto ditë nuk kanë qenë krejtësisht pushim sepse stafi teknik i ka këshilluar lojtarët për të ruajtur formën fizike dhe për të mos shtuar në peshë sepse nuk kanë kohë për ta rikuperuar.

Stërvitja e kuqebluve kësisoj do të nisë të martën teksa bashkë me të do të nisin përgatitjet për ndeshjen e së premtes ndaj Teutës që do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”. E ndërsa stërvitja fillon të martën, në kampin shkodran ende nuk ka asnjë përforcim nga merkatoja. Pavarësisht se në media çdo ditë qarkullojnë emra të ndryshëm, drejtuesit e klubit për momentin nuk konfirmojnë asnjërin prej tyre.

Kuptohet që përforcime do të ketë por ata do të vijnë në ditët në vazhdim dhe nga ana tjetër, stafi teknik vazhdon t’i bëjë planet me kontigjentin aktual të lojtarëve që ka në dispozicion.

Tashmë vështirësia e garës sa vjen e rritet dhe për të qenë konkurrues, kuptohet që Vllaznisë i duhet një kontigjent sa më i plotë futbollistësh cilësorë, prandaj dhe në Shkodër janë duke punuar fort në këtë drejtim por deri më tani nuk ka asgjë konkrete.

Lexoni dhe kete

ZMIJANI: VLLAZNIA MUND TË FITOJË EDHE ME KUKËSIN

Vllaznia e sivjetme po i bind të gjithë dhe për më tepër ajo përpos kryesimit …