Saturday , 8 August 2020

VLLAZNIA ME MUNGESA DREJT KORÇËS PËR TË MARRË FITOREN

Pas fitores me Luftëtarin dhe ndalesës së Bylisit me Partizanin, diferenca e Vllaznisë me ballshiotët është ngushtuar në dy pikë dhe për rrjedhojë janë shtuar shpresat për t’iu larguar vendit të tetë të renditjes. Për këtë arsye, ekipi shkodran do të tentojë të bëjë mirë edhe në katër ndeshjet e mbetura deri në fund të kampionatit duke nisur nga ajo e rradhës që do të luajë mbrëmjen e së shtunës në Korçë ndaj Skënderbeut.

Për marrjen e një rezultati pozitive në Korçë, Vllaznia nuk do ta ketë të lehtë sepse skuadra do të ketë sërish disa mungesa të rëndësishme në formacion. Përpos Ramadanit, Bardullës e Malit që janë të dëmtuar, pjesë e saj nuk do të jenë edhe tre futbollistët e huaj të cilët duket se i kanë dhënë lamtumirën kuqebluve, pikërisht Hygor, Gligorov dhe Sidorenko.

Sikur të mos mjaftonin këto mungesa, atyre u është shtuar edhe ajo e mbrojtësit Malota i cili u ndëshkua me karton të kuq në Gjirokastër por shtatëlarti lezhjan në fakt do të mungojë deri në fund të kampionatit. Kjo ngaqë ai ka marrë një dënim katërjavor nga Komisioni i Disiplinës. Në këtë mënyrë gjërat vështirësohen edhe më shumë për Vllazninë e cila megjithatë do të tentojë deri në fund që të mos shkojë në play-out, por kuptohet që nuk do të jetë e lehtë.

Në lojë janë edhe 12 pikë dhe natyrisht që diferenca prej 2 pikësh me Bylisin është plotësisht e rikuperueshme, por në rradhë të parë kuqeblutë duhet të bëjnë mirë me ndeshjet e veta. Duke filluar nga kjo e së shtunës me Skënderbeun.

Lexoni dhe kete

ATLETIKË/ VLLAZNIA FITON KUPËN E 12-të RADHAZI

Atletika shkodrane e ka nisur serinë e aktiviteteve të rëndësishme kombëtare me triumf duke dominuar …