VLLAZNIA “MËRZIT” TIFOZËT, TRAJNERI U KËRKON DURIM

Starti me humbje i gjysmës së dytë të kampionatit për Vllazninë, ka rikthyer sërish pesimizmin në rradhët e tifozëve shkodranë. Paraqitja e skuadrës së tyre ndaj Kukësit la shumë për të dëshiruar. Dhe jo vetëm nga rezultati. Fizikisht, taktikisht dhe në të gjitha drejtimet, kundërshtari ka qenë më lart. Për të mos vazhduar pastaj me problemet sërish në lojën mbrojtëse teksa të tre golat e pësuar, kanë ardhur për gabime të vetë futbollistëve kuqeblu. Trajneri Gjoka pas ndeshjes kërkoi durim dhe ndoshta edhe ai vetë nuk e priste një zhgënjim të tillë por duke qenë “timonieri” i kësaj anije, kërkon të jetë i fundit që do të dorëzohet. Ai vërtetë duket se beson tek lojtarët që ka zgjedhur. E ka thënë herëpashere se tash nuk ka më justifikime për mungesën e rezultateve.

Gjithsesi, ndeshja ndaj Kukësit tregoi se disa lojtarë janë jashtë forme, të tjerë mund të jenë aktivizuar në pozicionet jo të duhura dhe përballë një kundërshtari shumë të motivuar,  Vllaznia çaloi dukshëm. Ndeshja e rradhës me Skënderbeun javën e ardhshme është po aq e vështirë sa kjo me Kukësin, për të mos thënë edhe më e vështirë. Natyrisht që do të jetë një sfidë më vete për trajnerin Gjoka dhe futbollistët e tij marrja e një rezultati pozitiv, për më tepër që edhe në shkallët e stadiumit pritet të mo ketë më shumë tifozë të cilët mbrëmë u larguan të zhgënjyer nga “Loro Boriçi”. Kampionati tashmë sa vjen e bëhet më i vështirë dhe nuk ka kohë për të humbur. Janë edhe 19 ndeshje për t’u zhvilluar dhe në fakt në lojë janë edhe shumë pikë por nëse ata nuk merren shumë shpejt, gjërat mund të bëhen edhe më të vështira. Shkodranët nuk duan të përjetojnë të njëjtin ankth si një vit më parë kur shpëtimin nga rënia prej kategorisë e arritën vetëm në ndeshjen e fundit.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA, NGUSHTOHET RRETHI I KANDIDATURAVE PËR TRAJNER

Shumë prej skuadrave të futbollit shqiptar kanë nisur të bëjnë planet për sezonin e ri …