Sunday , 27 September 2020

VLLAZNIA MUND 1 – 0 TEUTËN NË MIQËSORE, TRAJNERI BRDARIÇ: RËNDËSI KA RRITJA E LOJËS, JO FITORJA

Goli i brazilianit Victor da Silva ka mjaftuar për t’i dhënë fitoren Vllazninë në miqësoren e rradhës, atë të luajtur pasditen e së enjtes në stadiumin “Loro Boriçi”. Në minutën e 45-të ai ka shfrytëzuar një kros të bukur të ardhur nga një goditje dënimi dhe me kokë e ka dërguar topin në rrjetë.

Përpos këtij momenti, ekipi shkodran në pjesën e parë ka patur edhe 3-4 raste të tjera të pastra shënimi, ndërkohë që duhet thënë se në pjesën e dytë loja e tij ka rënë disi, kjo edhe si rrjedhojë e ndryshimeve të shumta në formacion.

Për trajnerin Brdariç, më shumë rëndësi kishte loja e ekipit gjithnjë në rritje sesa fitorja e arritur, ndërkohë që ai është shprehur se shtyrja e kampionatit nuk është diçka e mirë për futbollin…

Përkthimi: “Jemi në mesin e përgatitjeve dhe për ne nuk kishte aspak rëndësi rezultati i kësaj ndeshje. Na intereson më shumë rritja e lojës së skuadrës dhe funksionimi i saj. Kemi luajtur ndaj një kundërshtari të fortë siç është Teuta. Sa i takon shtyrjes së kampionatit, di të them se ne duhet të jemi gati në çdo moment sepse ende nuk e dimë se kur do të nisë ai. Nuk është e lehtë ta përgatitësh skuadrën në këto pozita kur nuk ka një datë për nisjen e kampionatit.

Kuptohet që për ne nuk ka qenë e lehtë kjo periudhë sepse ndërtimi i skuadrës do kohën e vet ngaqë kanë ardhur shumë lojtarë të rinj, por besoj se kur të nisë kampionati ne do të jemi gati. Sa i takon merkatos, mund të them se e rëndësishme është të gjejmë lojtarin e duhur për sulmin. Nuk është problemi të gjejmë një sulmues, duhet ta gjejmë atë të duhurin që na bën punë dhe nëse kjo ndodh, do të ishte diçka shumë pozitive për ne”.

Ndërkohë, trajneri i Teutës, shkodrani Edi Martini e ka konsideruar këtë miqësore një test pozitiv për ekipin e tij, ndërsa për Vllazninë thjesht ka deklaruar se e sheh më mirë se vitet e kaluara…

Ndeshja ndaj Teutës ishte miqësorja e gjashtë për ekipin shkodran, ndërkohë që të shtatën do ta luajë ditën e martë në kryeqytet ndaj Tiranës.

Lexoni dhe kete

DREJTUESIT E ATLETIKËS MBËSHTETJE MORALE VILDAN TUFIT

Trajneri i mirënjohur i atletikës Vildan Tufi prej disa kohësh nuk po kalon një gjendje …