Sunday , 17 November 2019

VLLAZNIA MUND KUKËSIN DHE NGJITET NË KRYE TË RENDITJES

Kur ndoshta askush nuk e kishte menduar, Vllaznia ka fituar 2-1 ndaj Kukësit në “Elbasan Arena” pasditen e së dielës në ndeshjen e javës së shtatë të kampionatit. Një trepikësh me shumë vlerë ky për kuqeblutë që tashmë ngjiten në kuotën e 12 pikëve duke qenë në krye të renditjes bashkë me Bylis, Teutën dhe Skënderbeun. Ndaj kukësianëve ndeshja nisi me gol teksa në minutën e 9-të braziliani Hygor shënoi një gol shumë të bukur.

Në minutën e 54-të ndërkohë Shkurtaj ka barazuar për Kukësin por Vllaznia do të shënonte edhe golin e fitores në minutën e 79-të me anë të Likës dhe këtu gjithçka do të mbyllej me triumfin e ekipit shkodran. Për trajnerin e saj Mirsad Jonuz, ndeshja u interpretua në mënyrën e duhur, megjithatë ai nuk mendon për pretendime të mëdha në këtë sezon, por thjesht të shohin ndeshjen e rradhës.

Përkthimi: Ishte një fitore ndaj një kundërshtari shumë të fortë me një ekip që ka sulmues të mirë dhe një mesfushë të mirë. Ishim të detyruar të luanim me kundërsulme. Pjesën e parë ishim barazim dhe shënuam por Kukësi po bënte presion dhe dhanë maksimumin. Futën të gjithë në sulm dhe e di se Gavazaj e Shkurtaj janë të rrezikshëm. Ishte hera e parë që vendosa 3 stopera. Pasi pësuam ishte e rrezikshme por futbolli ky është, ke 2-3 raste dhe jam i lumtur që shënuam golin e dytë. E kam thënë edhe më parë që Vllaznia është një skuadër shumë e fortë. E shoh tani që kemi humbur 2 pikë me Luftëtarin, ndoshta në të ardhmen do të na duhen ato pikë, është normale se është skuadër e re. por do të vazhdojmë të punojmë. Por besoj se me Partizanin do të vijnë më shumë tifozë, do të japin maksimumin si skuadra. Kemi 15 ditë pushim kështu që do të punojmë fort.

Nga ana tjetër trajneri i Kukësit Shpëtim Duro nuk ka dashur t’i heqë meritat Vllaznisë për këtë fitore por ka fajësuar ekipin e tij për gabime si në mbrojtje ashtu edhe në sulm gjatë kësaj ndeshje.

Kampionati i Superligës ndërkohë këtë javë do ta ketë pushim për shkak të ndeshjes së kombëtares dhe rikthehet javën tjetër me një sfidë shumë interesante, atë që do të luhet në “Loro Boriçi”, aty ku Vllaznia do të presë Partizanin kampion në fuqi.

Lexoni dhe kete

TRE BOKSIERË TË VLLAZNISË PJESËMARRËS NË “ADEM JASHARI”

Për boksierët shkodranë nuk ka kohë për pushim pas pjesmarrjes në kampionatin kombëtar të pak …