Sunday , 29 November 2020

VLLAZNIA NË MERKATO, SYNON DISA LOJTARË CILËSORË

Prej së premtes të kaluar ekipi i Vllaznisë vijon me procesin stërvitor dhe pjesë  e tij janë vetëm 22 futbollistët të cilët e kanë nisur atë që nga dita e parë. Ndonëse flitet për shumë emra të tjerë si kandidatë të mundshëm për veshjen e fanellës kuqeblu, për momentin asnjëri prej tyre nuk mund të quhet pjesë e skuadrës shkodrane. I vetmi emër që është pranuar edhe nga drejtuesit se i është bërë ofertë, është ai i Edon Hasanit. Por ky i fundit akoma nuk ka kthyer një përgjigje përfundimtare pasi po sheh edhe mundësitë e tjera dhe në fund do të vendosë. Kjo shtyrje e vendimit të tij, lë të hapur edhe mundësinë e një përgjigje negative dhe për të mos u gjendur të papërgatitur nga një përgjigje e tillë, drejtuesit e Vllaznisë mësohet se po kontaktojnë edhe me të tjerë mesfushorë të qendrës. Bëhet fjalë për kapitenin e Tiranës Erando Karabeci dhe kapitenin e Laçit, shkodranin Erjon Vucaj.

Kjo nuk do të thotë se kuqeblutë kanë ndër mend t’i marrin të tre këta lojtarë sepse do të ishte e palogjikshme një gjë e tillë ngaqë luajnë në të njëjtin pozicion. Por për trajnerin Cungu e rëndësishme është që njëri prej tyre të jetë pjesë e skuadrës në sezonin e ri sepse do të rregullonte shumë gjëra në pjesën e mesit të fushës. Po ashtu, një tjetër emër që qarkullon është ai i mbrojtësit të majtë Hektor Idrizaj. Lojtari e ka mbyllur kontratën që ka patur me Skënderbeun dhe është futbollist i lirë.

Vllaznia ka 2-3 sezone që kërkon mbrojtës të majtë dhe Idrizaj mund të ishte një mundësi e mirë. Ndërkohë, akoma nuk është zbuluar asnjë emër sulmuesi që shkodranët po kërkojnë. Ajo e ka të domosdoshme gjetjen e një lojtari të tillë cilësor për këtë repart sepse për momentin nuk ka asnjë lojtar të mirëfilltë në dispozicion. Tentativat e merkatos së kuqebluve kësisoj vazhdojnë dhe pritet që në ditët e ardhshme të vijë edhe firma e parë në kontratë, paçka se nuk dihet se kush do të jetë i pari që do ta bëjë një gjë të tillë.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA U-19 MUND 0 – 8 DINAMON, E PARA NË RENDITJE

Tjetër fitore në kampionat për Vllaznia U19 që vijon të kryesojë e vetme renditjen e …