Breaking News

VLLAZNIA NË “RREGJIM KAZERME” PARA TEUTËS

Vllaznia që nga pasditja e së shtunës është grumbulluar në prag të ndeshjes me Teutën. Drejtuesit e klubit po i plotësojnë të gjithë kushtet ekipit që ai të përgatitet në qetësi para kësaj sfide shumë delikate që mund të përcaktojë njëkohësisht shumë gjëra për vazhdimësinë e mëtejshme në kampionat. Gjendja e futbollistëve duket e mirë me përjashtim të mesfushorit Bardulla që duket se nuk do të jetë i gatshëm për këtë ndeshje. Kjo ngaqë ai ka pësuar një dëmtim në stërvitje dhe me shumë të ngjarë nuk do mundet të jetë i gatshëm për takimin  e së hënës. Natyrisht që kemi të bëjmë me një alternativë më pak për stafin teknik pavarësisht se nuk i prish punë formacionit të parë.

Trajneri Gjoka duket se e ka të qartë mënyrën si do të luajë në këtë ndeshje dhe po ashtu edhe formacionin që do të hedhë në fushë. Nuk përjashtohet mundësia që për këtë takim të ketë ndonjë lëvizje në formacionin bazë të ekipit. Aktualisht nuk ka shumë informacion se çfarë mund të ndryshojë por ai po merr të gjitha masat për të bllokuar edhe kundërshtarin në pikat më të forta të tij. Padyshim që objektivi është për ta fituar këtë takim me çdo kusht sepse nëse do të ndodhte kjo, atëherë diferenca me Teutën do të shkonte në katër pikë dhe kjo do t’i jepte qetësinë e duhur Vllaznisë për vazhdimin e kampionatit. Normalisht që duke luajtur në “Loro Boriçi”, kuqeblutë konsiderohen favoritë për fitoren e kësaj ndeshje pavarësisht se ndaj durrsakëve shpesh nuk i ka ecur këto vitet e fundit. Klubi shkodran mendon që skuadra e tyre do të ketë edhe ndihmën e tifozëve të vet.

Siç bëhet e ditur, shitja e biletave do të nisë që paraditen e së dielës dhe interesimi duket i madh për këtë sfidë. Të gjithë presin fitoren e Vllaznisë në rradhë të parë për të rregulluar renditjen e saj dhe po ashtu edhe për të hequr “tersin” ndaj Teutës.

Lexoni dhe kete

KAJOSHI & VJERDHA: SYNOJMË MEDALJE NË LOJËRAT MESDHETARE

Përgatitjet e kombëtares shqiptare të boksit tashmë kanë marrë fund dhe mëngjesin e së shtunës …