Sunday , 19 September 2021

VLLAZNIA, PAKËNAQËSI PËR PARAQITJEN E 9 “JABANXHINJVE”

Plot 9 futbollistë shkodranë kanë qenë pjesë e Vllaznisë në sezonin e fundit dhe nisur nga emrat, të krijohet përshtypja se kuqeblutë kishin ndërtuar një superskuadër por ajo që ka rezultuar në fund është tjetër gjë. Madje, në ndeshjen më përcaktuese të kampionatit, atë ndaj Tiranës, në fushë kanë qenë vetëm 11 shkodranë. Kjo tregon më së miri edhe për problematikat që ka patur merkatoja e ekipit shkodran këtë sezon.

Nga tetë lojtarët e ardhur, vetëm Bakaj dhe Vrapi mund të thuhet me plot gojën se e kanë justifikuar blerjen e tyre. I pari, pavarësisht problemit që krijoi në ndeshjen e fundit, ka luajtur mirë duke qenë përcaktues për Vllazninë me lojën dhe gjashtë golat e shënuar. Edhe mbrojtësi Vrapi e ka justifikuar sepse nga stafi teknik ishte menduar të ishte alternativë për mbrojtjen por në fakt ka luajtur në 28 ndeshje. Megjithatë, reparti ku ai ka luajtur, ka shfaqur jo pak dobësi dhe për këtë arsye, edhe për të nuk ka vend vetëm për lavdërime. Sëbashku me Bicajn dhe Cicmil në vend që të blindonin prapavijën kanë bërë shumë gabime, madje edhe në ndeshje decisive duke pësuar gola qesharakë. Këto dy mbrojtësit e tjerë kurrsesi nuk e kanë justifikuar besimin e treguar ndaj tyre, ndonëse kanë qenë edhe dy lojtarët më të paguar. Një tjetër dështim mund të quhet edhe sulmuesi Pepa.

Ka ardhur tek Vllaznia për të dhënë më të mirën dhe për të shënuar gola por në fakt nuk e ka dërguar topin asnjëherë në rrjetat e portave kundërshtare në 16 ndeshjet që ka qenë në fushë me fanellën kuqeblu. Edhe portieri Agoviç nuk ka bindur ndonëse fillimisht nga stafi do të thuhej se do të ishte një nga portierët më të mirë të Superligës por në fakt paraqitjet e tij kanë qenë shpeshherë zhgënjyese aq sa n ë ndeshjet e fundit të kampionatit, nuk është grumbulluar fare me skuadrën. Listës së dështimeve padyshim që I shtohen, madje ato mund të jenë në krye, edhe kroati Vaitzer dhe kosovari Hoxha. U larguan që në janar sepse nuk bindën aspak me performancën e tyre dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Mulemon. Afrikani me pasaportë belge në fakt asnjëherë nuk u mendua për titullar dhe si I tillë e mbylli aventurën me Vllazninë. Kjo analizë tregon më së miri se merkatoja me “jabanxhinjtë” tek skuadra shkodrane thuajse ka dështuar në sezonin e fundit ndonëse ata morën qindra miliona lekë prej saj.

Lexoni dhe kete

KAMPIONATI I BOKSIT NIS ME RIVALITETIN VLLAZNIA – TIRANA

Kampionati kombëtar i boksit ka nisur me rivalitet që në ditën e tij të parë …