Monday , 30 November 2020

VLLAZNIA PLANIFIKON FAZEN PËRGATITORE NË MAL TË ZI

Vllaznia prej 10 ditësh ka nisur stërvitjen në Shkodër, stërvitje që janë duke u zhvilluar aktualisht në fushën sportive “Reshit Rusi”. Natyrisht që temperaturat e larta nuk favorizojnë një stërvitje ashtu si duhet megjithatë kjo gjë do të vazhdojë edhe për rreth dy javë. Themi kështu pasi stafi teknik është duke menduar për zhvillimin e një faze përgatitore intensive në Mal të Zi. Kjo gjë mendohet të ndodhë në javën e parë të gushtit. Plani mesa duket është për shkuarjen sërish në kampingun e Beranes ku ka qenë edhe vitin e kaluar dhe ku kushtet për stërvitje dhe akomodim janë të mira. Temperaturat e ulëta që ofron ky kamping janë të përshtatshme për punën me ngarkesa të larta fizike.

Megjithatë duhet pritur edhe aprovimi i drejtuesve të klubit për zhvillimin e kësaj faze përgatitore sepse natyrisht që ajo ka kosto financiare. Me siguri që edhe kjo gjë do të zgjidhet dhe padyshim që kjo do të ndikojë për mirë tek skuadra në përgatitjet e saj. Ideja është që Vllaznia të qëndrojë në Mal të Zi për një periudhë trejavore ku do të zhvillojë edhe 3-4 ndeshje miqësore. Ajo që duhet thënë është se stafi teknik është duke planifikuar çdo gjë sa i takon përgatitjeve për nisjen e sezonit të ri por problemi është se kontigjenti i futbollistëve që kanë në dispozicion nuk është ai i duhuri. Deri më sot nuk ka asnjë kontratë të firmosur me ndonjë nga futbollistët e kërkuar nga trajneri Cungu dhe kjo padyshim që ka krijuar probleme sepse ai nuk ka organikën e duhur për nisjen e sezonit të ri.

Jo vetëm kaq. Edhe nga kontigjenti aktual i futbollistëve ka ndonjë pakënaqësi të shfaqur në lidhje me disa problematika të krijuara por gjasat janë që ato të marrin përgjigjen e duhur brenda pak ditësh. Administratori Gjyrezi e ka deklaruar edhe më përpara se objektivi është për të ndërtuar një skuadër me futbollistë kryesisht shkodranë ndërkohë që mund të ofrohen në ditët e ardhshme edhe 3-4 futbollistë të tjerë me të cilët bisedimet vazhdojnë. Për këtë arsye, edhe për kohë tifozëve u duhet të presin për të parë ndryshimet e para tek skuadra e tyre.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA U-19 MUND 0 – 8 DINAMON, E PARA NË RENDITJE

Tjetër fitore në kampionat për Vllaznia U19 që vijon të kryesojë e vetme renditjen e …