VLLAZNIA “PRISH GJITHÇKA ME DORËN E VET”, 0-0 NDAJ KAMZËS

Në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, atë ndaj Kamzës, ekipi i Vllaznisë ka zhgënjyer duke mos arritur dot të fitojë. Në fund të 90 minutave të luajtura mbrëmjen e së mërkurës në stadiumin “Loro Boriçi”, është sigluar rezultati i barabartë 0-0, rezultat ky që i ka shkuar për shtat miqve. Ndërkohë, Vllaznia tashmë e sheh veten gjithnjë e më afër greminës që do ta çonte atë në kategorinë e parë, pikërisht tre javë para fundit të kampionatit. Ndeshja ishte vlerësuar maksimalisht nga skuadra shkodrane por ajo që prodhoi në fushën e lojës ishte tjetër gjë. Nuk i ka munguar as mbështetja e tifozëve sepse të pranishëm kanë qenë mbi 5 mijë të tillë por ata kanë qenë të pafuqishëm për të shënuar një gol të vetëm që do t’i kënaqte të gjithë. Rastet nuk u kanë munguar kuqebluve. Në pjesën e parë Ribaj dy herë dhe Malota kanë qenë pranë golit por janë ndalur nga portieri kundërshtar. Megjithatë duhet thënë se rastin më të pastër në këtë pjesë e ka patur Kamza me anë të Rezit. Në të dytën situata sikur nxehet dhe shkodranët janë më agresivë dhe më kërkues në fushë. Edhe rastet nuk u mungojnë teksa Lika, Çinari e Sukaj janë shumë pranë golit por ndalen nga portieri Avdyli. Minutat kalonin dhe ankthi në stadium shtohej. Kamza padyshim e kënaqur nga ky rezultat i barabartë, filloi të luante me nervat e shkodranëve dhe ia doli të vononte lojën në shumë raste. Edhe pesë minutat e shtesës të akorduara nga arbitri Meta nuk sjellin asgjë me përjashtim të një pretendimi të shkodranëve për një 11-metërsh të cilin ai nuk e akordoi. Përfundimisht 0-0 dhe me këtë barazim, Kamza shumë e kënaqur nisi festën, njëlloj sikur të kishte siguruar që në atë moment qëndrimin në Superligë. Krejt e kundërta në kampin shkodran. Mërzitja ka qenë e pranishme tek të gjithë dhe në fakt kjo është normale. Vllaznia duket më pranë se kurrë rënies për herë të tretë në historinë e saj një kategori më poshtë. Megjithatë janë edhe tre ndeshje deri në fund dhe mund të pritet gjithçka deri atëherë.

Lexoni dhe kete

KUÇI: SELAJ, MEDALJE NË OLIMPIADË NËSE KA MBËSHTETJE

Suksesi i boksieres shkodrane Elsidita Selaj që vetëm pak kohë më parë u shpall nënkampione …