VLLAZNIA ME PROBLEME PARA SFIDËS ME FLAMURTARIN

Humbja në Laç nuk ka lënë një shije të mirë tek skuadra shkodrane sepse opinioni i të gjithëve ka qenë se Vllaznia meritonte minimumin një pikë në këtë ndeshje dhe pse jo tre. Kjo ngaqë ajo e ka dominuar lojën në të gjithë aspektet, ka patur edhe raste të pastra shënimi por këtë herë sulmuesit e saj kanë qenë të pafat.  Por sikur të mos mjaftonte kjo humbje ndaj kurbinasve, kjo ndeshje i ka sjellë një tjetër dëm Vllaznisë. Arsyeja është se njëri nga lojtarët e saj më të mirë, është ndëshkuar me karton të verdhë dhe për rrjedhojë do të mungojë në sfidën e rradhës ndaj Flamurtarit. Bëhet fjalë për mbrojtësin Renato Malota.

Ai është ndëshkuar me karton në momentin e protestës së golit të kurbinasve, pikërisht tek anësori që lejoi vazhdimin e lojës pas faullit të shkaktuar ndaj Mersinit. Arbitri Sokoli nga futbollistët e Vllaznisë që protestonin, “ka pikasur” Malotën duke i treguar atij të verdhën. Kjo ishte e dyta e tij në ndeshjen me Vllazninë por në fakt, ka patur edhe dy të tjera që nga periudha kur luante me Partizanin. Në këtë mënyrë, ai ka plotësuar numrin 4 të tyre dhe prandaj do të jetë i detyruar të mungojë të hënën në ndeshjen ndaj Flamurtarit. Një mungesë e rëndësishme sepse dihet që Vllaznia nuk ka shumë alternativa në mbrojtje.

Edhe Pjeshka që mund të luajë në atë pozicion, ende nuk është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi që ka patur. Por një tjetër problem për kuqeblutë është padyshim pamundësia për t’u stërvitur në një ambjent të hapur. Kushtet e vështira atmosferike e kanë detyruar ekipin që edhe ditën e sotme të mbyllet në palestër. Ky padyshim që është një shqetësim për stafin teknik sepse ndeshja me Flamurtarin po afron dhe skuadra duhet të bëhet gati sepse kemi të bëjmë me një takim ku patjetër duhet marrë fitorja.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA U-15 SHPALLET KAMPIONE PËR ZONËN E VERIUT

Vllaznia U-15 është kampionia e parë e shpallur për sezonin 2017-2018 në futbollin e moshave …