Breaking News

VLLAZNIA RIKTHEHET TEK HUMBJET. MUNDET 0-2 NË KUKËS

Ecuria positive e Vllaznisë në ndeshjet e fundit është ndalur pasditen e së hënës në Kukës teksa është mundur nga skuadra vendase me rezultatin 2-0. Kampionët në fuqi të vendit kanë arritur të shënojnë nga një gol për secilën pjesë loje ndërkohë që tek shkodranët u ndien mungesat në formacion. Humbja e sotme padyshim që do ta vështirësojë edhe më shumë ecurinë e kuqebluve në kampionat. Në minutat e para të ndeshjes është Vllaznia që qarkullon topin dhe madje në minutën e 3-të, Sukaj vë në provë Frashërin me një gjuajtje të fortë jashtë zone. Pas minutës së 15-të, Kukësi sikur “zgjohet”. Pesë minuta më vonë është Ymeraj që me kokë është shumë pranë golit. Në minutën e 24-të Guri gjuan nga jashtë zone dhe Sherri fluturon duke e grushtuar topin jashtë vijës fundore.

Rezultati do të zhbllokohej në minutën e 34-të. Arbitri Hamiti akordon një goditje dënimi shumë të kontestuar nga shkodranët në hyrje të zonës së tyre. Topi shkon në zonë tek Shameti që e godet me kokë dhe i devijuar edhe nga Berisha, ai përfundon në rrjetë. Dy minuta më vonë është Kalaja që me kokë mund të rrezikonte seriozisht por gjuan jashtë. Në minutën e fundit të pjesës së parë ka një mundësi të mirë Sukaj por gabon në gjuajtje. Pjesa e parë kësisoj mbyllet me fitoren 1-0 në favor të Kukësit. Pjesa e dytë nis me një agresivitet më të madh të shkodranëve ndërkohë që në minutën e 63-të Sukaj pengohet në mënyrë të parregullt brenda zonës së rreptësisë por arbitri Hamiti nuk akordon 11-metërsh. Në minutën e 67-të është Ribaj që me një gjuajtje nga jashtë zone rrezikon seriozisht portën e Kukësit.

E kur presioni I Vllaznisë po shtohej, në minutën e 77-të pas një kundërsulmi të shpejtë, Kukësi shënon edhe golin e dytë me anë të Musollit. Minutat e mbetura nuk do të dhurojnë asgjë me përjashtim të kartonit të kuq të panevojshëm për Sukajn. Përfundimisht 2-0 për vendasit ndërkohë që me këtë humbje, Vllaznia ndjen gjithnjë e më shumë rrezikun e rënies nga kategoria.

 

https://youtu.be/NEkUemBiD_0

Lexoni dhe kete

TEK VLLAZNIA NË PRITJE TË VENDIMEVE TË ASAMBLESË

Tek Vllaznia të gjithë janë në pritje të zhvillimeve të reja. Zhvillime këto që pritet …