VLLAZNIA ME SYTË NGA INFERMIERIA PARA NDESHJES ME KUKËSIN

Vllaznia ka nisur pasditen e së premtes përgatitjet për sfidën e rradhës, atë që do të luhet ditën e hënë në Kukës. Seanca e parë është zhvilluar në një kalçeto të mbyllur për shkak të kushteve atmosferike. Ndërkohë, stafi teknik është me sytë nga stafi mjekësor për të marrë lajme pozitive prej lojtarëve të dëmtuar. Ky ka qenë një shqetësim i madh në fakt për trajnerin Gjoka sepse në takimin e fundit ndaj Partizanit, ishin plot katër futbollistë me probleme. Por ndërkohë, duket se sot ka patur lajme të mira. Mbrojtësi Berisha e ka kaluar problemin që ka patur në brinjë dhe është stërvitur me grupin.

Tre të tjerët sakaq, Gocaj, Vucaj e Krymi, kanë qenë nën kujdesin e fizioterapistit Haxhaja i cili ka kryer ekzaminimet e duhura. Më shqetësuese duket situata e Krymit që është vërtetë në dyshim për ndeshjen me Kukësin. Diçka më e mirë është gjendja e Gocajt dhe Vucajt që nuk duket të kenë probleme serioze megjithatë do jenë dy ditët e ardhshme që do të vendosin për fatin e tyre nëse do jenë në fushë të hënën apo jo. Ndeshja e së hënës ka një vlerë shumë të madhe për Vllazninë dhe objektivi është i qartë për të marrë pikë. Padyshim që nuk do të jetë e lehtë sepse edhe vendasit nuk duan të lëshojnë vendin e dytë në renditje.

Megjithatë, Vllaznia do të mundohet që të tregojë vlerat e veta edhe në këtë sfidë. Ndonëse u mendua se sulmuesi shkodran i Kukësit Sindrit Guri nuk do të ishte në fushë në këtë takim për arsye kartonash, kjo nuk rezulton të jetë e vërtetë dhe për këtë arsye, ai do të luajë ndaj ish- skuadrës së tij. Gjithsesi, mbrojtja shkodrane ka treguar se mund të përballet me çdo sulmues dhe këtë gjë do të bëjnë edhe me Gurin për të mos e lënë të shënojë pasditen e së hënës.

Lexoni dhe kete

ÇIKLISTËT E VLLAZNISË ME PRETENDIME NË TURNEUN “KORÇA”

Çiklistët e Vllaznisë po bëhen gati për aktivitetet më të rëndësishme siç janë kampionati kombëtar …