Mungesa e ndeshjeve miqësore në Ulqin, ka detyruar stafin e Vllaznisë të mendojë për një ndeshje testuese në ditët në vijim, pikërisht në prag të ndeshjes së parë të këtij viti, atë me Kukësin që do të luhet javën e ardhshme në Shkodër. Nga sa mësohet, ditën e shtunë kuqeblutë do të luajnë një ndeshje miqësore me ekipin e Besëlidhjes.
Ajo që mbetet për t’u saktësuar është vendi se ku do të zhvillohet kjo ndeshje, në Shkodër apo në Lezhë. Ideja e stafit teknik është ta luajë këtë miqësore në një fushë me bar natyral por kjo do të varet nga kushtet atmosferike të ditës së shtunë. Në këtë miqësore do të vendoset përfundimisht edhe fati i mbrojtësit senegalez me pasaportë belge Lendri Mulemo. Ky i fundit, pas provës disaditore në Ulqin, ka mbërritur edhe në Shkodër dhe do të qëndrojë edhe dy ditë për t’u vendosur më pas për të.
Trajneri Cungu ka bërë të ditur se tashmë e ka një ide të qartë për fatin e këtij lojtari megjithatë do të vendosë përfundimisht pas ndeshjes me Besëlidhjen. Përveç Mulemos, në stërvitjen e sotme të ekipit të Vllaznisë nuk është vërejtur asnjë futbollist tjetër i ri. Pavarësisht se ka zëra për ardhjen e ndonjë lojtari tjetër në provë, deri më tani kjo nuk është realizuar. Në këto kushte, stafi teknik është duke i bërë planet me kontigjentin aktual të futbollistëve, me të cilin do të tentojë të bëjë sa më mirë në kampionat dhe po ashtu edhe në Kupën e Shqipërisë.