Fitorja e Vllaznisë në Lushnjë ka rritur entuziasmin në kampin shkodran. Ka qenë një ndeshje jetike e cila duhej fituar patjetër dhe tashmë që kjo është arritur, të gjithë duken disi më të qetë. Qetësi që në fakt ka vlejtur deri në mesditën e së hënës sepse më pas ka nisur puna dhe përgatitjet për sfidën e rradhës, atë që do të luhet me Teutën. Federata Shqiptare e Futbollit ka caktuar orën 17.00 të ditës së dielë për zhvillimin e këtij takimi në stadiumin “Loro Boriçi”.
Vllaznia pas javës së 19-të vërtetë e ka lënë poshtë në renditje ekipin durrsak por të mos harrojmë se ai ka qenë “macja e zezë” gjatë gjithë këtyre viteve të fundit për kuqeblutë. Shpeshherë madje Teuta ka fituar edhe në Shkodër. Jo më kot, trajneri Gjoka do të mundohet ta mbajë skuadrën e tij të karikuar si duhet dhe larg vëmendjes së opinionin por edhe të mediave gjatë këtyre ditëve. Diçka pozitive është padyshim gatishmëria e të gjithë lojtarëve për këtë takim.
Rikthehen nga skualifikimi Çinari e Krymi ndërkohë që nuk ka futbollistë me kartona për këtë javë. Ashtu siç nuk duket të ketë probleme edhe me dëmtimet. Kjo do të jetë diçka e mirë sepse stafi teknik do të ketë mundësi të hedhë në fushë formacionin më të mirë dhe po ashtu, të ketë edhe alternativa serioze në pankinë. Qëllimi i vetëm padyshim që është marrja e fitores në këtë takim. Vetëm kështu, Vllaznia mund të shkojë gradualisht drejt arritjes së objektivit megjithatë deri atëherë ka edhe shumë rrugë dhe duhet edhe shumë suksese të tjera.