Tjetër fitore në kampionat për Vllaznia U15 e cila tashmë është ngjitur në vendin e parë në renditje. Në ndeshjen e rradhës ajo ka luajtur ndaj Partizanit të cilin e ka mundur me rezultatin e thellë 5-0.
Në takimin e luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi” kuqeblutë e trajnerit Edmond Doçi kanë dominuar në të gjitha drejtimet ndaj kundërshtarit dhe për këtë arsye, ka arritur këtë fitore të thellë ndaj tij. Ndeshja është zhbllokuar nga goli i futbollistit Gerald Ftoni që ka shënuar golin e parë në minutën e 18-të.
Po gjatë pjesës së parë do të shënonte edhe futbollisti Gerald Kubazi dhe ajo do të mbyllej në shifrat 2-0. Në të dytën sakaq, kanë ardhur edhe tre gola të tjerë. Ka qenë futbollisti Desart Spahija ai që ka shënuar golin e tretë, ndërsa më pas do të vinin firmën e tyre tek ky sukses edhe Ermal Sylja si dhe i pesti do të kishte për autor lojtarin Lesha.
Përfundimisht 5-0 për Vllaznia U15. Me këtë fitore, ajo është ngjitur në kuotën e 10 pikëve pas katër javësh kampionat, falë 3 fitoreve dhe 1 barazime duke udhëhequr për momentin renditjen e kampionatit ndërkohë që në vend të dytë është Internacional me 9 pikë por me një ndeshje më pak.
Ekipi shkodran në këtë mënyrë po ndjek rrugën e Vllaznia U19 dhe asaj U21 të cilat kryesojnë renditjet e kampionateve duke treguar se sivjet çdo gjë po shkon mirë për klubin shkodran, i cili edhe me ekipin e parë po bën një sezon shumë të mirë.