VLLAZNIA U-19 FITON ME PËRMBYSJE NDAJ INTERNACIONAL

Vllaznia U19 e ka nisur me fitore vitin 2020. Pasditen e së mërkurës është zhvilluar një ndeshje e prapambetur nga viti i kaluar, pikërisht ajo ndaj Internacional, ndeshje kjo që u pat ndërprerë për shkak të kushteve atmosferike. Përballë këtij kundërshtari që kryeson renditjen e këtij kampionati, kuqeblutë e trajnerit Luan Zmijani kanë zhvilluar një ndeshje shumë të mirë dhe në fund kanë fituar me rezultatin 2-1. Takimi u luajt në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe në fakt ka nisur më mirë për miqtë të cilët kanë kaluar në avantazh që në minutën e 15-të me anë të Mhillajt.

Megjithatë ekipi shkodran ka vijuar të luajë mirë dhe pas disa përpjekjeve, ka arritur të shënojë golin e barazimit. Ka qenë një kros nga e djathta dhe topi është goditur me kokë nga sulmuesi Nikaj i cili e ka dërguar atë në rrjetë. Pjesa e parë është mbyllur kësisoj në barazim 1-1. Në të dytin ka vijuar presioni i vendasve për golin e fitores dhe ai ka ardhur në minutën e 63-të kur Xhahysa i sapofutur në lojë, ka arritur ta dërgojë topin për herë të dytë në rrjetën e portës mike duke i dhënë fitoren kësisoj Vllaznisë U19.

Në këtë mënyrë, me këtë trepikësh ajo është ngjitur në kuotën e 14 pikëve dhe mban vendin e shtatë, por duket se paraqitjet e mira në ndeshjet e Kupës së fundmi por edhe ndaj Internacional, do ta ndihmojë këtë ekip të ngjitet lart në renditje në fazën e dytë të kampionatit. Ndërkohë të dielën kuqeblutë do të luajnë derbin me ekipin e Akademisë Ajaks, një sfidë që pritet të jetë shumë interesante.

Lexoni dhe kete

KEQI: KËNAQËSI TË JEM GOLASHËNUESI MË I MIRË NË MALTË

Një futbollist shkodran është shpallur kampion në Maltë me ekipin e Florianës. Bëhet fjalë për …