VLLAZNIA U-19 KUALIFIKOHET NË GJYSMËFINALE TË KUPËS

Vllaznia U19 merr një tjetër fitore në Kupën e Shqipërisë dhe e sheh vetën tashmë në katërshen e ekipeve më të mira që do të vijojnë garën për të fituar këtë trofe. Kuqeblutë në çerekfinale janë ndeshur me ekipin e Internacional të cilin e kanë mundur me rezultatin 3-1.

Takimi është luajtur pasditen e së premtes në Pezë- Helmes dhe është dominuar nga ekipi shkodran. Në fakt kanë qenë vendasit ata që kanë kaluar të parët në avantazh. Ka qenë minuta e 7-të kur Rushiti ka përfituar nga një vendosje e gabuar e skuadrës së Vllaznisë dhe e ka dërguar topin në rrjetën e portës së mbrojtur nga Kaçaj.

Megjithatë reagimi ka qenë i shpejtë dhe në minutën e 18-të ka ardhur goli i barazimit. Ka qenë mesfushori Enes Papaj që me anë të një goditje dënimi ka barazuar shifrat me një gol shumë të bukur. Më pas, ndonëse shkodranët kanë dominuar në fushë, e kanë patur të vështirë të gjejnë golin e avantazhit.

Duhej të vinte minuta e 78-të kur sulmuesi Ardit Nikaj do ta shënonte atë. Ndërkohë dy minuta para fundit do të ishte sërish ky futbollist që do të shënonte edhe të tretin, atë me të cilin do të mbyllej krejt ndeshja me rezultatin 3-1 në favor të Vllaznia U19.

Në këtë mënyrë ajo tashmë e sheh veten në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë dhe do të presë shortin e së hënës për të mësuar emrin e kundërshtarit me të cilin do të ndeshet të mërkurën e ardhshme. Pavarësisht këtij fakti, objektivi i Vllaznia U19 padyshim që është fitorja e këtij trofeu këtë sezon.

Lexoni dhe kete

SMAJLAJ & BURRAJ NË POLONI PËR EUROPIANIN

Dy atletët shkodranë Izmir Smajlaj dhe Franko Burraj që prej ditës së dielë ndodhen në …