Breaking News

VLLAZNIA U-19 SIGURON FINALEN. SPIKAT PORTIERI QARRI

Nëse 17 vjeçarët e Vllaznisë nuk shkuan dot në finale të Kupës prej 11-metërshave, krejt ndryshe ka ndodhur me 19 vjeçarët. Pikërisht nga pika e bardhë, ato kanë siguruar të drejtën për të luajtur finalen e këtij kompeticioni ditën e mërkurë. Në ndeshjen gjysmëfinale të luajtur në Kamëz, Vllaznia U19 ka fituar ndaj Shkëndisë së Durrësit. Dhe njeriu që ka vendosur fatin e tyre ka qenë portieri 18 vjeçar Kristi Qarri i cili ka qenë i mrekullueshëm duke pritur dy 11-metërsha dhe ka kaluar këtë ekip në finale.

Sa i takon ndeshjes, shkodranët kanë kaluar të parët në avantazh me anë të Ndrecës në minutën e 26-të por festa ka zgjatur vetëm pak minuta. Tre minuta më vonë durrsakët kanë barazuar me anë të Kuqit. Pas këtij goli, pavarësisht përpjekjeve të të dy ekipeve, nuk ka patur gola të tjerë dhe për këtë arsye, janë dashur gjuajtjet e 11-metërshave për të shpallur fituesin. Nga Vllaznia kanë gjuajtur vetëm tre lojtarë e pikërisht Shima, Repaj e Lekaj sepse nuk ka qenë më e nevojshme ngaqë kundërshtari ndër katër ka shënuar vetëm një. Dy prej 11-metërshave të durrsakëve janë pritur nga portieri i Vllaznisë Qarri i cili çon ekipin e tij në finale, aty ku do të ndeshen të mërkurën në orën 12.00 me ekipin e Besës.

Në “Elbasan Arena” kuqeblutë e trajnerit Luan Zmijani do të synojnë fitoren e Kupës sërish edhe për këtë edicion, ashtu siç kanë bërë edhe sezonin e kaluar. Vllaznia U19 është vërtetë një ekip i cili meriton përgëzime sepse prej 2-3 vitesh po tregon një nivel të lartë duke dominuar në futbollin e moshave në Shqipëri, teksa ka fituar çdo trofe të mundshme dhe po ashtu, po synon edhe fitoren e të dy trofeve edhe të këtij sezoni.

Lexoni dhe kete

VOLEJBOLL/ TË REJAT E VLLAZNISË DREJT KALIMIT NË FINALE

Volejbollistet e reja të Vllaznisë kanë hedhur hapin e parë të rëndësishëm drejt kalimit në …