VLLAZNIA U-19 VAZHDON NGJITJEN DREJT KREUT TË RENDITJES

Vllaznia U-19 vazhdon të spikasë me rezultatet e saj edhe në kampionat. Pas suksesit në Kupën e Shqipërisë ku arriti të fitonte në finale ndaj Shkëndisë dhe të meritonte trofeun, ekipi shkodran është ndeshur këtë të dielë edhe për kampionat me këtë kundërshtar. Ka qenë një ndeshje shumë përcaktuese sepse nëse do të fitonte Shkëndia, Vllaznia do të ishte ndoshta jashtë plej-ofit. Vështirësia shtohej edhe më tepër ngaqë takimi luhej në Kamëz. Por kuqeblutë kanë fituar me rezultatin 2-0 duke treguar se po kalojnë një moment shumë të mirë.

Pjesa e parë është fituar me meritë nga skuadra e trajnerit Luan Zmijani me rezultatin 1-0. Ka qenë pikërisht minuta e fundit e kësaj pjese, momenti kur mesfushori Alfons Kulla ka shënuar golin shumë përcaktues.  Në pjesën e dytë ka qenë sulmuesi Ildi Gruda ai që ka shënuar golin e dytë dhe të sigurisë së fitores. Vllaznia U-19 në këtë mënyrë me këtë fitore është ngjitur në kuotën e 37 pikëve, ndërkohë që Partizani është në vend të parë me një pikë më shumë.

Ndërkohë Vllaznia U-17 pas shumë e shumë javësh kryesim të kampionatit, dje është detyruar t’ia lëshojë vendin e parë Tiranës. Ka ndodhur kështu pas barazimit të saj në ndeshjen e luajtur në Tiranë ndaj Shkëndisë, në fund të së cilës është fiksuar rezultati i barabartë 1-1. Duhet thënë se pjesa e parë ka qenë e dominuar nga futbollistët kuqeblu të cilët kanë shënuar edhe të parët me anë të mesfushorit Olsi Mali që në minutën e 10-të. Por kur pritej që ky gol t’i jepte qetësinë e duhur shkodranëve për administrimin e ndeshjes, në minutën e 26-të ka ardhur goli i barazimit për vendasit. Pas këtij goli, nuk do të kishte të tjerë dhe për pasojë, pjesa e parë do të mbyllej në barazim 1-1. Në pjesën e dytë pavarësisht përpjekjeve për të shënuar golin e fitores, futbollistët e Vllaznisë nuk ia kanë dalë dhe për rrjedhojë i gjithë takimi është mbyllur në barazim. Një rezultat që i kushton kuqebluve lëshimin e vendit të parë në renditje.

Lexoni dhe kete

ZHVILLOHET EDICIONI I XVII-të i TURNEUT “NËNË TEREZA” NË XHUDO

Për të 17-tin vit me rradhë në Shkodër është zhvilluar turne ndërkombëtar i moshave në …