Friday , 13 December 2019

VLLAZNIA U19 GJEN FITOREN E PARË PAS 8 JAVËSH

Iu deshën plot tetë javë Vllaznisë U19 për të marrë fitoren e parë në kampionat. Pas 5 barazimesh dhe 2 humbjeve, ekipi shkodran më në fund ka arritur të marrë trepikëshin e parë. E ka bërë këtë gjë në ndeshjen ndaj Shkëndisë së Durrësit ndaj së cilës ka fituar me rezultatin 3-0. Por ajo që është interesante ka të bëjë me faktin se kjo ndeshje është luajtur në dy ditë. Të dielën është luajtur pjesa e parë e cila përfundoi me rezultatin 3-0 falë golave të Dedës e Radovanit si dhe autogolit të Qypit.

Por në pushimin e takimit, fusha “Reshit Rusi” u përmbyt si pasojë e reshjeve të shumta të shiut dhe për rrjedhojë takimi nuk mund të vazhdonte. Federata vendosi që pjesën e dytë të tij ta luante pasditen e së martës dhe në fakt në këto 45 minuta nuk ka patur asnjë zhvillim dhe gjithçk është mbyllur në shifrat 3-0 të fiksuara që të dielën. Me këtë fitore, Vllaznia U19 tashmë është ngjitur në kuotën e tetë pikëve dhe mban vendin e shtatë në renditje. Me siguri që në javët e ardhshme, fitoret e saj do të vijojnë sepse tashmë ekipi e kaloi momentin jo të mirë të fillimit të kampionatit.

Nga ana tjetër, Vllaznia U17 ka vijuar me ecurinë e saj të rezultateve pozitive dhe këtë javë ka fituar po 3-0 ndaj Shkëndisë. Protagonistë të kësaj fitoreje do të ishin kapiteni Papaj që shënoi në pjesën e parë dhe Maliqi në të dytën me 11-metërsh ndërkohë që fundin e takimit ka patur edhe një gol të tretë për kuqeblutë, ardhur nga autogoli i Bulkut. Me këtë fitore, Vllaznia U17 është ngjitur në kuotën e 19 pikëve dhe mban vendin e dytë të renditjes duke konfirmuar edhe njëherë tjetër faktin se sivjet do të jetë një nga ekipet pretendente për fitimin e trofeve.

Lexoni dhe kete

VLLAZNIA PËSON HUMBJEN E 4-të NË LIGËN BALLKANIKE

Vllaznia e basketbollit të meshkujve është mundur sërish në Ligën Ballkanike dhe këtë herë përsëri …