Tek Vllaznia vijon puna për merkaton. Pasditen e së premtes me skuadrën në Ulqin është bashkuar edhe një futbollist kongolez por me pasaportë belge. Bëhet fjalë për Lendri Mulemo që është 30 vjeç dhe luan si mbrojtës i majtë. problemet që skuadra shkodrane ka patur në këtë krah herëpasherë me dëmtimet e Markut kanë bërë që drejtuesit kuqeblu të shohin për gjetjen e një lojtari për këtë pozicion dhe Mulemo në fakt duket me shumë përvojë. Ardhja e këtij lojtari për provë është bërë e mundur nga drejtori sportiv Eugent Zeka.
Në karrierën e tij ka luajtur me ekipe të njohur si Standart Liezh në Belgjikë por edhe në Turqi me Bursaspor, në Izral dhe vende të tjera. Në vitin 2008 ky futbollist ka luajtur me kombëtaren belge në Lojërat Olimpike dhe më pas në vitin 2010 është grumbulluar dy herë prej saj në ndeshjet kualifikuese të Europianit. Por, pak më vonë, mbrojtësi në fjalë ka zgjedhur të përfaqësojë kombëtaren e vendit të tij, atë të Kongos. Mulemo prej disa muajsh nuk ka luajtur rregullisht dhe kjo mbase mund të ndikojë disi në formën e tij megjithatë, do të jetë trajneri Cungu ai që do ta testojë. Duke nisur nga ndeshja miqësore me ekipin U-19, pas së cilës do të marrë edhe një përgjigje të parë për gjendjen e lojtarit. Nëse bindet për aftësitë e tij pastaj prova do të vijojë edhe për disa ditë.
Duhet thënë se tashmë kuqeblutë kanë më shumë mundësi për të testuar këtë lojtar apo dhe ndonjë tjetër që mund të vijë ngaqë Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë vendimin për të shtyrë një javë nisjen e kampionatit. Për këtë arsye, pas Mulemos tek Vllaznia për provë mund të vijë edhe ndonjë lojtar tjetër për provë.