VOLEJBOLL, DËMTOHET EDHE KOLA, PROBLEME PËR VLLAZNINË

Nisja e ndeshjeve të fazës së dytë të kampionatit, e gjen ekipin e Vllaznisë në volejboll për meshkuj me jo pak probleme. Pas largimit të njërit prej titullarëve drejt Kosovës, pikërisht të Nikolin Qafarenës, një tjetër lojtar titullar pritet t’i mungojë ekipit në ndeshjet e ardhshme. Bëhet fjalë për liberon e tij, Renato Kolën. Ai ka disa ditë që mungon në stërvitje sepse ka ndjerë shqetësime në gjurin e tij të djathtë. Ka bërë edhe ekzaminimet e duhura dhe tashmë po pret përgjigjet e tyre. Duket se kemi të bëjmë me një dëmtim serioz megjithatë duhet të presim edhe pak ditë për të parë konkluzionet e këtij dëmtimi. Trajneri Adrian Mikopli padyshim që është i shqetësuar nga këto mungesa sepse kemi të bëjmë me dy lojtarë cilësorë që do t’i mungojnë ekipit në fazën e dytë të kampionatit.

Takimi i parë i kësaj faze do të luhet mesditën e së shtunës në Korçë ndaj Skënderbeut vendas. Në pamje të parë konsiderohet një takim i lehtë megjithatë mungesat e këtyre dy sportistëve kanë sjellë ndikimin e vet sepse lojtarët që do t’i zëvendësojnë duan kohën e duhur për t’u ambjentuar me pjesën tjetër të ekipit. Vllaznia aktualisht ndodhet në vendin e pestë në renditje, çka do të thotë se për momentin është jashtë zonës së plej-ofit të skuadrave që do të vazhdojnë rrugën për fitimin e titullit kampion. Nëse nuk do ta arrinte këtë objektiv të parë, padyshim që do të ishte një minus i madh për ekipin kampion në fuqi.

Gjasat janë që të ndodhë kështu sepse përbërja e sivjetme kurrsesi nuk mund të krahasohet me atë të vjetshmen dhe për më tepër edhe me largimin e Qafarenës e dëmtimin e Kolës, problemet shtohen edhe më shumë. Megjithatë, gjithçka mund të ndodhë dhe të shpresojmë që Vllaznia t’u tregojë të gjithëve se është ajo ende kampionia në fuqi e vendit.

Lexoni dhe kete

ZHVILLOHET EDICIONI I XVII-të i TURNEUT “NËNË TEREZA” NË XHUDO

Për të 17-tin vit me rradhë në Shkodër është zhvilluar turne ndërkombëtar i moshave në …